Kosovë, procesi i regjistrimit të popullsisë shtyhet për 1 nëntor
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shtyrja e këtij procesi të rëndësishëm ndodh për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës t’i planifikonte detajet e fundit

Prishtinë
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, i paraparë të fillojë më 1 shtator 2023, të shtyhet më 1 nëntor 2023, raporton Anadolu.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se shtyrja e këtij procesi të rëndësishëm ndodh për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës t’i planifikonte detajet e fundit.
Ai tha se edhe përkundër që përgatitjet për këtë proces janë bërë, një gjë e tillë nuk mund të fillojë nga 1 shtatori.
“Procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023, pra, dy muaj më vonë, për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit”, theksoi Kurti.
Kurti tha se me miratimin e Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave ka nisur një proces tejet i rëndësishëm për politikbërje në segmente e fusha të caktuara të cilat prekin përditshmërinë e qytetarëve kosovarë.
Ai tha se për t’u përgatitur për procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave ishin të domosdoshme të përgatiteshin një sërë aktivitetesh, përfshirë marrëveshje ndërkombëtare me organizata kompetente.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1,8 milion banorë. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.
Në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive shtëpiake në Kosovë pritet të angazhohen rreth 2.500 deri në 7.600 regjistrues, rreth 350 deri në 400 mbikëqyrës, si dhe rreth 40 deri 50 trajnues-instruktorë me një kosto të përgjithshme të të gjithë procesit deri në rreth 12 milionë euro.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.