BALLKANI

Kosovë, partitë politike pajtohen që zgjedhjet lokale të mbahen në tetor të këtij viti

Përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje në takim me presidenten, Albulena Haxhiu tha se u diskutuan tre opsione për ditën e zgjedhjeve, 5, 12 dhe 19 tetor

Agim Sulaj  | 04.06.2025 - Përdıtësım : 05.06.2025
Kosovë, partitë politike pajtohen që zgjedhjet lokale të mbahen në tetor të këtij viti

Prishtinë

Partitë politike në Kosovë janë pajtuar që zgjedhjet e rregullta lokale në Republikën e Kosovës të mbahen në tetor 2025, raporton Anadolu.

Pas konsultimeve që përfaqësuesit e partive politike patën me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, në Zyrën e Presidentes në Prishtinë, ata u deklaruan se diskutuan disa data për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të gjitha në muajin tetor 2025.

Përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje në takim me presidenten, Albulena Haxhiu tha se u diskutuan tre opsione për ditën e zgjedhjeve, 5, 12 dhe 19 tetor.

"Nëse zgjedhjet shpallen nesër është mundësi që zgjedhjet të mbahen me datat 5, 12 dhe 19 tetor. Këto ishin dy-tri datat që u përmenden më së shumti. Qëndrimi ynë është që sa më herët që shpallen aq më mirë, duke pasur parasysh që mund të shkohet edhe në balotazh. LVV-ja ka nisur me shpalljen e kandidaturave. Në komunat që udhëheqim do të vazhdojmë me kryetarët e njëjtë. Shumë shpejt do t’i kemi të gjitha kandidatët për kryetarë", ka thënë ajo.

Haxhiu tha se në takimin me presidenten Osmani, është përmendur edhe ideja që në të njëjtën datë të zgjedhjeve lokale të mbahen edhe ato të përgjithshmet, megjithëse ka shtuar se ata janë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e Qeverisë.

Por, kreu i partisë së dytë më të madhe në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se është vështirë që zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale në Kosovë të mbahen në të njëjtën datë.

Megjithatë, Krasniqi tha se zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme, mund të mbahen më herët se ato lokale, gjatë këtij viti. Krasniqi pas takimit me presidenten ku u diskutua për zgjedhjet lokale, tha se për ta nuk ka rëndësi data e zgjedhjeve, megjithëse në emër të partisë ai propozoi 12 dhe 19 tetorin si data të mundshme.

Krasniqi shprehu kritika për Lëvizjen Vetëvendosje, të vetmen parti e cila nuk u përfaqësua në këtë takim me kryetarin e saj, Albin Kurtin.

"Nga gjitha partitë e ftuara, vetëm kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek munguan dhe e bojkotuan takimin, takim kaq i rëndësishëm që ndodh një herë në 4 vjet. Nuk pretendoj se e kanë bërë me marrëveshje, por vërtetë linte shije të keqe kjo mungesë", tha Krasniqi.

Një njoftim zyrtar për media pas këtij takimi e lëshoi edhe Presidenca, ku u tha se data e zgjedhjeve lokale do të caktohet gjatë ditëve në vijim.

"Gjatë takimit, presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale", thuhet në njoftim.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.