Kosovë, partitë politike nuk arrijnë marrëveshje për të trajtuar urgjencat parlamentare
Kryeparlamentari Basha tha se qëllimi i takimit me përfaqësuesit politikë ishte që të ngrihen urgjencat parlamentare, siç janë ligjet për buxhetet.
Prishtinë
Partitë e mëdha shqiptare të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për formimin e komisioneve parlamentare nëpërmjet të cilave më pas do të miratonin marrëveshje e projektligje të cilat janë urgjente për vendin, raporton Anadolu.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se Kuvendi është në një situatë të pazakontë për shkak të mosvotimit ende të qeverisë së re dhe deri më tani Kryesia e Kuvendit nuk ka ndodhur të mblidhet duke mos pasur ekzekutiv të miratuar nga Kuvendi.
Basha tha se qëllimi i takimit me përfaqësuesit politikë ishte që të ngrihen urgjencat parlamentare të cilat janë miratimi i Projektbuxhetit të Kosovës për vitin 2026, ndarjen e buxhetit për komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, si dhe ndarjen e buxhetit për televizionin shtetëror.
“Fatkeqësisht për asnjërën nga këto pika nuk kam gjetur mirëkuptim. Për këtë, ne e dimë që jemi në situatë të jashtëzakonshme. Nuk është e zakontë të mblidhet kryesia, por kam pritur që të ketë vullnet politik, ngase ka qenë bindja ime e thellë se nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore/kushtetuese, për t’i themeluar komisionet dhe për të proceduar me buxhetin e RTK-së, tri buxhetet e komunave dhe buxhetin vjetor”, tha Basha.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do që të trajtojë asgjë tjetër përpos pikës ku mund të thirret seancë për votimin e qeverisë së re.
Sipas tyre, formimi i komisioneve nëpërmjet të cilave synohet miratimi i urgjencave parlamentare bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“Në emër të PDK-së, qartësova që pika e vetme e rendit të ditës që mund të trajtojmë ne si kryesi e re, është thirrja e seancës plenare, për të votuar ose mos votuar qeverinë e re. Çdo gjë tjetër është shkelje e ligjit dhe kushtetutës”, tha Çitaku.
Edhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se ka pritur unifikim të qëndrimeve nga përfaqësuesit politikë në këtë mbledhje, por e ka parë një qasje destruktive. Ajo tha se buxheti i vendit nuk është i Albin Kurtit dhe as i Lëvizjes Vetëvendosje, por i gjithë qytetarëve, prandaj duhet të votohet.
Të premten, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të zhvillojë takim me krerët e partive politike parlamentare ku pritet që ajo të unifikojë qëndrimet në të mirë të gjetjes së një zgjidhje për miratimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2026 dhe urgjencave të tjera.
Aktualisht vendi po kalon në dhjetëditëshin ku partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 mund të propozojë dikë të dytë për kryeministër, pasi më 26 tetor, deputetët nuk i dhanë votat e mjaftueshme Albin Kurtit si kryeministër të propozuar.
Nëse partia e parë nuk propozon dikë të dytë, presidentja, sipas procedurave kushtetuese dhe ligjore, do t’i ofrojë mundësinë për formimin e qeverisë së re, partisë së dytë, PDK-së, e cila është shprehur publikisht se nuk do të ketë propozim për kryeministër.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
