BALLKANI

Kosovë, partia Lista Serbe gjobitet me 22 mijë euro nga PZAP-ja

Lista Serbe u gjobit me 20 mijë euro pas ankesës së paraqitur nga subjekti politik Lidhja Kosovare (Kosovski Savez) ndërsa dy mijë euro u gjobit pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje

Agim Sulaj  | 23.12.2025 - Përdıtësım : 23.12.2025
Kosovë, partia Lista Serbe gjobitet me 22 mijë euro nga PZAP-ja

Prishtinë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka gjobitur me 22 mijë euro subjektin politik Lista Serbe, për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, transmeton Anadolu.

Subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës u gjobit me 20 mijë euro pas ankesës së paraqitur nga subjekti politik Lidhja Kosovare (Kosovski Savez) ndërsa dy mijë euro u gjobit pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Në ankesën e Lidhjes Kosovare e cila u pranua si e bazuar nga PZAP-ja, thuhej që Lista Serbe kishte vendosur në disa lokacione të ndryshme në Komunën e Leposaviqit materiale propagandistike në kundërshtim me ligjin. Paneli e vlerësoi si të bazuar ankesën e cila kishte të bashkëngjitur edhe fotografi si dëshmi të vendosjes së materialeve promovuese.

Sipas vendimit, materialet ishin vendosur në hapësira publike, përfshirë shtylla elektrike, parqe, stacione autobusi, mbikalime, trafo-stacione elektrike dhe rrugë publike. Sipas PZAP-së, Lista Serbe ka qenë e njoftuar se vendosja e materialeve promovuese pa lejen e organeve kompetente përbën shkelje të legjislacionit zgjedhor, me ç’rast Lista Serbe është urdhëruar që t’i largojë të gjithë posterët nga vendet e vendosura.

Lidhur me gjobën prej dy mijë eurove pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje, PZAP e ka vlerësuar si të bazuar ankesën e këtij subjekti politik, me arsyetimin se Lista Serbe ka shkelur sërish Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, gjatë zgjedhjeve që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, duke vendosur një baner në hapësirën e jashtme të një objekti kolektiv të banimit në Mitrovicë të Veriut.

Po ashtu, PZAP e ka detyruar LS-në që nga momenti i marrjes së këtij vendimi të largojë këtë baner të vendosur në objektin që gjendet në sheshin "Car Llazar" në qytetin e Mitrovicës Veriore, përndryshe mosbindja ndaj kësaj urdhërese paraqet shkelje tjetër të këtij ligji që mund të sanksionohet me dënime shtesë nga PZAP-і.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.