BALLKANI

Kosovë, përkujtohet ish-presidenti Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ish-presidenti Rugova ishte i butë në sjellje por i palëkundur në qëndrime

Agim Sulaj  | 21.01.2026 - Përdıtësım : 21.01.2026
Kosovë, përkujtohet ish-presidenti Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Në 20-vjetorin e vdekjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është mbajtur në Prishtinë akademi përkujtimore, raporton Anadolu.

Në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinë në këtë akademi morën pjesë familjarë të ish-presidentit Rugova, bashkëpunëtorë, udhëheqës të institucioneve në Kosovë, ambasadorë të vendeve të huaja.

Presidentja Osmani tha se ish-presidenti Rugova ishte i butë në sjellje por i palëkundur në qëndrime. Ajo theksoi se ish-presidenti Rugova ja kushtoi gjithë jetën ndërtimit dhe mbrojtjes së shtetit të lirë, të pavarur dhe demokratik të Kosovës.

"Në betejën për liri, për dinjitet dhe shtet, Rugova e zgjodhi paqen, jo si dobësi por, si formën më të lartë të guximit politik. Për Rugovën liria e mendimit ishte themeli mbi të cilën ndërtohej liria fizike. Që në vitet e 80-ta Rugova ngriti pyetjen që do të shndërrohej në ideologji politike: si mund ta përjetoj lirinë intelektuali shqiptar kur i imponohet mohimi i vetvetes, i historisë dhe i realitetit shoqëror. Kjo ishte pikënisja e një mendimi politik që do ta udhëhiqte Kosovën drejtë lirisë", tha Osmani.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se vendimet juridike/kushtetuese të ndërtimit të shtetit të prira nga presidenti Rugova ishin të kujdesshme por të vendosura.

"Presidenti Rugova e kishte filozofinë: Kosova na duhet me njerëz, duhet t'i ruajmë njerëzit. Kudo njihej se ai fliste si burrshtetas që thoshte atë që duhej dëgjuar me kujdes. Ky respekt dhe vlerësim për sakrificën e madhe u pa me përkrahjen dhe ndihëm që i kishin dhënë presidentit Rugova personalitetet dhe institucionet ndërkombëtare. Gjithë kjo u finalizua në fushatën e bombardimeve dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në mars-qershor 1999", tha Sejdiu.

Ibrahim Rugova i cili vlerësohet si "ati themeltar" i Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, derisa po mbante postit e presidentit, pasi ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Ai udhëhoqi nga viti 1989 partinë e parë shqiptare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila u bë forca politike prijëse në Kosovë në vitet në vijim. Puna e ish-presidentit Rugova u shpërblye me disa çmime dhe tituj ndërkombëtarë, ku ndër to, në vitin 1998, atij iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.

Pjesëtarë të LDK-së por edhe udhëheqës të institucioneve shtetërore e lokale sot vizituan varrin e ish-presidentit Rugova që ndodhet në lagjen Velania në Prishtinë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın