BALLKANI

Kosovë, një tjetër zbulim arkeologjik në qytetin antik Ulpianë

Mbishkrimi i parë përmendte themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet Dardan, ndërsa ky, i dyti, tregon ndërtimin e bazilikës episkopale, derisa këto konsiderohen të jenë të vetmet dedikime të njohura të Justinianit

Agim Sulaj  | 04.08.2025 - Përdıtësım : 04.08.2025
Kosovë, një tjetër zbulim arkeologjik në qytetin antik Ulpianë Foto: MKRS

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Një tjetër zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik ka ndodhur këto ditë në qytetin antik të Kosovës, në Ulpianë, ku ekipi i arkeologëve ka identifikuar një mbishkrim të dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe bashkëshortes së tij, Teodora, transmeton Anadolu.

Mbishkrimi i parë përmendte themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet Dardan, ndërsa ky, i dyti, tregon ndërtimin e bazilikës episkopale, derisa këto konsiderohen të jenë të vetmet dedikime të njohura të Justinianit, perandorit me prejardhje nga ky rajon.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qyteti i lashtë romak i Ulpianës, rrënojat e të cilit ndodhen pak jashtë Prishtinës, vazhdon të japë zbulime të jashtëzakonshme falë punës së një ekipi arkeologësh nga Kosova dhe Franca.

“Një mbishkrim i dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe Perandoreshës Theodora është identifikuar tani, duke iu referuar ndërtimit të bazilikës episkopale, krahas mbishkrimit të mëparshëm në Iustiniana Secunda, të zbuluar dy vjet më parë, po ashtu në Ulpianë, këto janë të vetmet dedikime të njohura nga Justiniani në rajonin e tij të lindjes - duke riafirmuar lidhjen e tij me Dardaninë dhe identitetin tonë dardan në Antikitetin e Vonë dhe Mesjetën e Hershme”, shkroi Kurti.

Edhe ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, tha se ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike nuk është trajtuar asnjëherë më këtë seriozitet.

Ai tha se hulumtimet arkeologjike në Ulpianë e Dresnik, tanimë po vazhdojnë në prona publike, të cilat u shpronësuan gjatë vitit të kaluar.

Ministri Çeku tha se po punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, plane të konservimit e menaxhimit, ngritje të kapaciteteve profesionale përmes partneriteteve ndërkombëtare, studimeve dhe publikimeve.

“Arkeologjia vazhdon të na zbulojë historinë tonë. Ne vazhdojmë me përkushtim hulumtimin dhe mbrojtjen e saj”, shkroi Çeku.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın