BALLKANI

Kosovë, ngrihet aktakuzë ndaj një personi për krime lufte kundër popullsisë civile

Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, i pandehuri në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë

Agim Sulaj  | 18.12.2025 - Përdıtësım : 18.12.2025
Kosovë, ngrihet aktakuzë ndaj një personi për krime lufte kundër popullsisë civile

Prishtinë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale "Krim i luftës kundër popullsisë civile", transmeton Anadolu.

Në njoftimin e PSRK-së thuhet se sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, i pandehuri në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

"R.M., akuzohet edhe për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë", thuhet në njoftim.

Prokuroria njofton se i pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa rasti i është kaluar për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, nga të cilët, pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.