Kosovë, nesër mbahet seancë parlamentare për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë
Osmani tha se kryesia vendosi që seanca të mbahet të mërkurën në orën 11, përkundër rekomandimit që seanca nuk i plotëson kushtet të mbahet në situatën e krijuar nga koronavirusi

Prishtinë
Kryesia e Kuvendit të Kosovës me katër vota pro dhe dy kundër ka vendosur që nesër në ora 11 të mbahet seance plenare me të vetmen pikë të rendit të ditës, mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Kurti, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka kërkuar nga administrata e Kuvendit të di nëse seanca i plotëson kushtet për zhvillimin e të njëjtës duke marrë parasysh rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) dhe se ka marrë përgjigje negative.
Megjithatë, Osmani tha se kryesia vendosi që seanca të mbahet të mërkurën në orën 11, përkundër rekomandimit që seanca nuk i plotëson kushtet të mbahet në situatën e krijuar nga koronavirusi i ri (COVID-19).
Osmani tha se ajo personalisht ka qenë kundër vendimit për mbajtjen e seancës, si dhe është kundër mocionit të mosbesimit për Qeverinë.
“Absolutisht nuk e përkrah këtë mocion dhe natyrisht u bëjë thirrje gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës të mos e përkrahin këtë mocion, sepse as nuk është në kohën e duhur, por mbi të gjitha nuk do t’i prodhojë Kosovës një qeveri tjetër që ka legjitimitet që mund të merret me sfidat me të cilat mund të ballafaqohet Kosova”, tha Osmani.
Kryetarja e Kuvendit bëri të ditur se edhe “SHBA, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia kanë kërkuar unitet institucional në këtë kohë të vështirë për popullin e Kosovës dhe njëkohësisht kanë kërkuar që të ruhet integriteti dhe funksionaliteti i Qeverisë së Kosovës”.
Ajo tha se gjithashtu do të kërkojnë nga IKSHPK të dezinfektojnë sallën e seancave plenare gjatë ditës së nesërme në mes të pauzave.
Mocioni i mosbesimit është bërë me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe është nënshkruar nga 44 deputetë. Ai u dorëzua në Kuvend javën e kaluar, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkarkoi ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun, duke shkaktuar reagim nga partneri i koalicionit LDK.
Pas këtij vendimi, partia e udhëhequr nga Isa Mustafa, LDK, mbajti mbledhje të kryesisë ku vendosi për inicimin e mosbesimit ndaj qeverisë, pasi siç tha Mustafa, Kurti kishte thyer marrëveshjen e koalicionit duke “marrë vendim për shkarkimin e një ministri nga LDK, pa u konsultuar fillimisht me kreun e kësaj partie”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.