Kosovë, ndahet nga jeta qytetarja që u lëndua nga shpërthimi në Ferizaj
“Ferizaj, humbi një bashkëqytetare, familja më të shtrenjtën familjare e shoqëria e saj, një mike të çmuar. Lutemi që shpirti i saj të prehet në paqen e pafundme”, është shprehur kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu
Prishtinë
Ka ndërruar jetë shtetasja kosovare Fatime Haxhidema, njëra nga të lënduarat në shpërthimin e bombolës së gazit që ndodhi në një restorant të qytetit të Ferizajt gjatë muajit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka ngushëlluar familjen Haxhidema nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale.
“Me dhembje të thellë, sot, mora lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëqytetares sonë, Fatime Haxhidema, e cila ishte e lënduar nga shpërthimi i fillimvitit në njërin nga restaurantet e Ferizajt dhe po trajtohej në shërbimin e specializuar mjekësor në Turqi. Sot, jemi të gjithë të lënduar, të gjithë me familjen e të ndjerës. Ferizaj, humbi një bashkëqytetare, familja më të shtrenjtën familjare e shoqëria e saj, një mike të çmuar. Lutemi që shpirti i saj të prehet në paqen e pafundme”, është shprehur Aliu në telegramin ngushëllues.
20-vjeçarja Haxhidema ishte nisur për trajtim në Turqi më 7 janar, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Nga shpërthimi i një bombole gazi në një restorant në Ferizaj u lënduan 42 persona nga të cilët 12 ishin të lënduar më rëndë, prej të cilëve 4 janë trajtuar në Turqi.
Shpërthimi kishte shkaktuar po ashtu edhe dëme materiale. Pas shpërthimit, në vend ka pasur reagime të shumta, ku nga autoritetet përkatëse u kërkua që të bëhet edhe mbikëqyrja e bombolave të gazit në Kosovë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
