Kosovë, në vërshimet e janarit u trajtuan mbi 1 mijë raste ndërsa 42 persona u evakuuan
Abdullahu e konsideroi si të suksesshëm reagimin institucional me rastin e vërshimeve të janarit dhe tha se ky reagim parandaloi pasoja më të rënda për jetën e qytetarëve dhe infrastrukturën kritike
Prishtinë
Autoritetet kanë realizuar mbi 1 mijë raste dhe 196 intervenime në vërshime dhe kanë evakuuar 42 persona nga zonat e rrezikut gjatë muajit janar kur disa pjesë të territorit të Kosovës u përballën me vërshime, raporton Anadolu.
Në një konferencë për media, drejtori i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), Shefki Abdullahu tha se nga raporti vlerësues, rezulton se shkaqet e vërshimemeve u identitikuan në mangësitë e pendës, ndërtimi i saj, reshjet atmosferike dhe grumbullimi i sasisë së madhe të ujit që tejkaluan kapacitetet grumbulluese të ujëmbledhësve.
"Numri i rasteve të koordinuara ka qenë 1.007 raste. Numri i intervenimeve në vërshimeve ka qenë 196. Thithja e ujit me pompa në kapacitete të larta ka qenë 24. Intervenime teknike kanë qenë 63. Persona të evakkuar kanë qenë 42", tha Abdullahu.
Ai ka bërë të ditur se nga rekomandimet e nxjerra pas analizimit të situatës së vërshimeve ndër pikat rekomanduese është edhe ndalimi i ndërtimeve në zonat më të rrezikuara nga vërshimet.
"Pastrimi dhe mirëmbajtja e rregullt e shtretërve të lumenjve. Monitorimi i vazhdueshëm i zonave me rrezik të lartë. Hartimi dhe zbatimi i planeve për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore. Ndarja e qartë e përgjegjësive ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror. Ndalimi i ndërtimeve në zonat e rrezikuara nga vërshimet. Forcimi i inspektimeve ndërtimore", tha Abdullahu.
Ai e konsideroi si të suksesshëm reagimin institucional me rastin e vërshimeve të janarit dhe tha se ky reagim parandaloi pasoja më të rënda për jetën e qytetarëve dhe infrastrukturën kritike.
Abdullahu tha se të gjitha veprimet janë ndërmarrë me bashkëpunim ndërinstitucional, përfshirë ekipet e specializuara të AME-së, zjarrfikësit, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës dhe Shoqatën e Kosovës për Kërkim-Shpëtim të cilët kanë realizuar intervenime të shumta përfshirë thithjen e ujit me pompa të kapacitetit të lartë në objekte me rëndësi të veçantë.
Dëme më të mëdha nga vërshimet kanë pësuar komuna e Malishevës, Gjakovës, Klinës, Junikut, Drenasit, Skenderajt, Mitrovicës, Suharekës, Gjilanit dhe Prishtinës.
