BALLKANI

Kosovë, miratohet projektligji për formimin e Agjencisë së Inteligjencës për Siguri dhe Mbrojtje (AISM)

Formimi i një agjencie të tillë u cilësua në Kuvendin e Kosovës si një hap i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës

Agim Sulaj  | 10.07.2023 - Përdıtësım : 10.07.2023
Kosovë, miratohet projektligji për formimin e Agjencisë së Inteligjencës për Siguri dhe Mbrojtje (AISM) Foto: AA/Arkiv

Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM), raporton Anadolu.

Formimi i një agjencie të tillë u cilësua në Kuvendin e Kosovës si një hap i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, në fjalën e tij tha se AISM-ja është agjenci që do amplifikoj mbrojtjen shtetërore dhe sigurinë qytetare.

“Është i nevojshëm rregullimi ligjor në fushën e inteligjencës në mënyrë që Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës të përmbushin misionin e tyre. Agjencia Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes mbështetë autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në kryerjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor me informacion përkatës të saktë dhe me kohë, me inteligjencë, kundërinteligjencë dhe siguri”, theksoi Mehaj.

Ministri kosovar tha se kjo agjenci do të ushtrojë aktivitetin e saj brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës me qëllimin e zbulimeve dhe kundërzbulimeve që vijnë nga jashtë territorit të Kosovës.

Mehaj në fund të fjalës së tij falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) “për mbështetjen në projektligj në çdo hap”.

Kryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Bekë Berisha, tha se gjatë shqyrtimit midis dy leximeve të këtij projektligji do të ketë kohë për plotësim/ndryshim të këtij projektligji.

Berisha u bëri thirrje edhe partive opozitare që po bojkotojnë votimin në Kuvend duke thënë se “ky projektligj është shumë i rëndësishëm”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.