Politikë, BALLKANI

Kosovë, miratohet projektligj i ri për zgjedhjet nacionale me rekomandime nga BE

Deri tek konkretizimi i një projektligji të tillë sipas aktorëve që kanë punuar me të, janë dashur rreth 10 vjet punë, ku janë mbledhur rekomandimet e vëzhguesve të BE-së në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë nga viti 2010

Agim Sulaj  | 08.06.2023 - Përdıtësım : 09.06.2023
Kosovë, miratohet projektligj i ri për zgjedhjet nacionale me rekomandime nga BE Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës projektligji për zgjedhjet nacionale me rekomandime nga Misioni i Vëzhguesve të Bashkimit Evropian (BE) dhe nga Grupet Parlamentare të partive politike në Kuvendin e Kosovës, raporton Anadolu.

Deri tek konkretizimi i një projektligji të tillë sipas aktorëve që kanë punuar me të, janë dashur rreth 10 vjet punë, ku janë mbledhur rekomandimet e vëzhguesve të BE-së në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë nga viti 2010.

Gjithsej 86 deputetë kanë votuar pro projektligjit, me asnjë kundërshtim dhe vetëm me një abstenim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, falënderoi institucionet ndërkombëtare dhe vendore për kontributin në projektligj.

Ai tha se problemi me proceset zgjedhore në Kosovë nuk ka pasur të bëjë shumë me sistemin zgjedhor se sa me vetë procesin e administrimit të zgjedhjeve.

Sipas tij, pas secilit proces zgjedhor ka pasur raporte të Misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve por edhe të organizatave vendore të cilat kanë shpërfaqur problemet dhe mangësitë me të cilat janë karakterizuar zgjedhjet ku janë dhënë edhe rekomandime për përmirësimin e tyre.

"Ndër çështjet më të rëndësishme të cilat rregullohen me këtë projektligj janë: regjistrimi i votuesve jashtë vendit, mënyra e votimit jashtë vendit, e drejta e votës, numërimi i votave/fletëvotimeve për kandidatët e subjekteve politike dhe mbështetja financiare shtesë për partitë të cilat krijojnë hapësirë për numër më të madh të deputeteve gra sa është kuota e përcaktuar", theksoi Kurti.

- Në projektligj janë 130 nene

Abelard Tahiri, kryesues i komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se ky është prej ligjeve më të rëndësishme në vend, derisa bëri të ditur se në këtë projektligj janë 130 nene.

"Nga këto 130 nene, 92 janë rihartuar dhe janë rishkruar komplet, ndërsa pjesa tjetër ka pasur intervenim. Pra, sot nuk është plotësim/ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet Nacionale mirëpo është miratimi i një ligji të ri. Ky projektligj po ashtu përbëhet nga 21 kapituj. Si komision punën e kemi ndarë me dy faza: fazën e parë e kemi pasur trajtimin e rekomandimeve që kanë ardhur nga Misioni i Vëzhguesve të Bashkimit Evropian ndërsa fazën e dytë e kemi pasur trajtimin e propozimeve që kanë ardhur nga grupet parlamentare që në fund janë shndërruar si propozime të komisionit", theksoi Tahiri i cili shtoi se po ashtu kanë marrë rreth 50 rekomandime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Tahiri tutje tha se me këtë projektligj për herë të parë diaspora do të ketë mundësinë të votojë në mënyra më të lehtësuara. Sipas tij, tash e tutje me këtë projektligj vota preferenciale nuk do të jetë më 5 por do të jetë 10, ku nga 110 kandidatë sa janë të propozuar në listë, qytetarët e Kosovës do ta kenë mundësinë të bëjnë përzgjedhje më të madhe.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se projektligji për zgjedhjet nacionale ka ardhur si rrjedhojë e rekomandimeve të vazhdueshme të vëzhguesve të BE-së por edhe kërkesë të vazhdueshme të Raporteve të Progresit.

"Një përpjekje më shumë se sa 10 vjeçare edhe nga legjislaturat e kaluara për të adresuar këto rekomandime, ne më në fund arritëm që në këtë legjislaturë, si komision ad-hoc me përbërje të gjerë politike, të kemi një produkt konsensual mbi atë që adreson rekomandimet e vëzhguesve të BE-së por natyrisht edhe adreson aspekte teknike të përmirësimit të procesit zgjedhor të identifikuara përgjatë zgjedhjeve në Kosovë", theksoi Rrustemi.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se partia e saj e mbështet projektligjin, meqë komisioni ka marrë parasysh adresimin e të gjitha rekomandimeve të BE-së.

- Projektligji është hartuar nga komisioni ad-hoc

Projektligji për Zgjedhjet e Nacionale në Kosovë është hartuar nga komisioni ad-hoc për reformë zgjedhore i Kuvendit të Kosovës.

Sipas kësaj, votat e kandidatëve për deputet shumë shpejt do të mund të numërohen në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), e jo në vendvotime siç ka ndodhur deri më tash. Përveç vendit të numërimit të votave, ky projektligj u mundëson kandidatëve për deputetë që gjatë procesit të numërimit të jenë edhe vetë vëzhgues në QKN. Po ashtu do të mundësohet edhe prania e mediave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.