Kosovë, miratohet ligji që cakton çmime tavan për produktet themelore
Institucionet kosovare disa herë kanë ngritur shqetësim se operatorë e biznese të ndryshme po i rrisin çmimet në mënyrë artificiale duke u justifikuar me inflacionin në zinxhirin furnizues

Prishtinë
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të martën Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputetët e miratuan ligjin me 64 vota pro, asnjë kundër e asnjë asbtenim.
Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i draftuar dhe propozuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në bashkëpunim me aktorët përkatës, zbatohet ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte themelore dhe ka për qëllim eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg.
Produktet themelore në kuadër të këtij ligji janë: drithërat, mielli i grurit, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët e pulës, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.
Në këtë ligj përfshihen masat e përkohshme mbrojtëse që do të ndërmerren në raste të veçanta të destabilizimit në treg; shkaqet e caktimit të këtyre masave; mbikëqyrja për zbatimin e këtij ligji, si dhe sanksionet ndaj çdo shkelësi të këtyre masave që janë përfshirë në këtë ligj.
Ndër masat e përkohshme mbrojtëse në raste të veçanta të destabilizimit në treg, të bazuara në evidencë dhe analizë të mirëfilltë, janë: kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar; ndalimi i largimit nga shitja e produktit; caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë; caktimi i çmimit maksimal të lejuar; detyrimi i operatorit ekonomik për të ruajtur pjesën e caktuar të stokut të produktit; detyrimi i operatorit ekonomik për t’u furnizuar dhe për të ofruar për shitje produktet themelore si para caktimit të masave mbrojtëse dhe ndalimi apo kufizimi i eksportit.
“Qëllimi është të ndalohet abuzimi me ngritje të çmimeve me qëllim të shtimit të përfitimit. Projektligji është në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe çdo vendim i marrë sipas këtij ligji do të jetë në përputhje me zotimet dypalëshe mbrojtëse që Kosova ka marrë në kuadër të MSA-së dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare”, theksoi MINT.
Me projektligjin nuk u pajtuan partitë opozitare në vend, të cilat edhe nuk morën pjesë në votimin e tij.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka konsideruar projektligjin në fjalë si të dëmshëm për ekonominë, konsumatorët dhe operatorët. Ndërkaq, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tha se me masat e përkohshme për produktet themelore nga ana e Qeverisë, po bëhen shkelje kushtetuese.
Përpos vendosjes së çmimeve tavan për produktet themelore, në Kosovë tash e disa muaj po praktikohet edhe vendosja e çmimeve tavan për derivatet e naftës.
Institucionet kosovare disa herë kanë ngritur shqetësim se operatorë e biznese të ndryshme po i rrisin çmimet në mënyrë artificiale duke u justifikuar me inflacionin në zinxhirin furnizues.