Kosovë, ministrja Hajdari dhe tre të tjerë do të përballen me drejtësinë për rezervat shtetërore
Hajdari bashkë me I.L. dhe H.G. “akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Kosovës”
Prishtinë
Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe tre të tjerëve lidhur me keqpërdorim të dyshuar të rezervave shtetërore, transmeton Anadolu.
Prokuroria ka bërë të ditur se ministrja në detyrë Hajdari dhe H.G. akuzohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa R.M. për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Hajdari bashkë me I.L. dhe H.G. “akuzohen se gjatë muajve shkurt-mars të vitit 2022, në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës”.
Prokuroria njoftoi se si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej afër 3 milionë eurove.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. gjithashtu akuzohen se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.
“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Rasti i rezervave shtetërore kishte të bënte me dyshimin se në vitin 2022 ishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, të cilat nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
Në vitin 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre kanë qenë edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
