Kosovë, Ministria e Mbrojtjes shënon Ditën e Forcës
“FSK po vazhdon me një sukses të madh periudhën e tranzicionit dhe natyrisht po punon duke pasur parasysh që orientim strategjik si shtet por edhe si popull i cili është anëtarësimi në NATO", tha Osmani
Prishtinë
Për të shënuar "Ditën e Forcës", Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka organizuar në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë "Ditën e Hapur" për qytetarët, raporton Anadolu Agency (AA).
Në shënimin e kësaj dite kanë marrë pjesë udhëheqës të lartë shtetërorë, përfaqësues ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në Kosovë dhe qytetarë.
Në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në këtë ditë festive, para qytetarëve të pranishëm janë ekspozuar dhe demonstruar aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Dita e Forcës së Sigurisë së Kosovës i ka bërë bashkë qytetarët për të parë sukseset e deritanishme të ushtrisë.
Osmani tha se për së afërmi qytetarët në këtë ditë shohin përkushtimin, angazhimin e mbi të gjitha gatishmërinë për të sakrifikuar për atdheun.
"FSK po vazhdon me një sukses të madh periudhën e tranzicionit dhe natyrisht po punon duke pasur parasysh që orientim strategjik si shtet por edhe si popull i cili është anëtarësimi në NATO, aty ku edhe e kemi vendin", theksoi Osmani.
Blendi Zogaj nxënës i shkollës "International Maarif Schools of Kosova" i cili mori pjesë në këtë ceremoni, tha për AA-në se e ka ëndërr që një ditë të jetë pjesë e Ushtrisë së Kosovës.
Madje, Zogaj ka bërë edhe një punim artistik me ngjyrat e flamurit kombëtar për 28 Nëntorin të dedikuar për FSK-në.
"Unë besoj shumë në Forcën e Sigurisë së Kosovës sepse ushtarët e kanë dhënë jetën për Kosovë dhe janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë dhe për këtë unë kam dashur që ta bëjë një projekt për ta", theksoi Zogaj.