Kosovë, Millosh Antoviq dënohet me 4 vjet e 11 muaj burgim për shkak të sulmit ndaj KFOR-it
- KFOR-i kishte deklaruar se më 29 maj në Zveçan u bë protestë e dhunshme dhe disa nga pjesëtarët e KFOR-it u lënduan nga gurët, mjetet shpërthyese dhe nga gjësendet e forta të hedhura nga protestuesit

Prishtinë
PRISHTINË (AA) - Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 4 vjet e 11 muaj burgim dhe gjobë prej 20 mijë eurosh, Millosh Antoviqin, për shkak të sulmit të tij në Zveçan më 29 maj 2023, ku u lënduan dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, transmeton Anadolu.
Gjykata i dha dënim unik prej 4 vjet e 11 muajsh burgim Antoviqit, ndërsa gjoba prej 20 mijë eurosh do të paguhet me këste brenda dy vjetësh.
Në aktakuzën e ngritur më 30 korrik të vitit 2025, Antoviq akuzohej për katër vepra penale, respektivisht “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm”, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Posedim i paautorizuar i armëve”.
Në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, që nga prilli 2025.
KFOR-i kishte deklaruar se më 29 maj në Zveçan u bë protestë e dhunshme dhe disa nga pjesëtarët e KFOR-it u lënduan nga gurët, mjetet shpërthyese dhe nga gjësendet e forta të hedhura nga protestuesit.
Sipas KFOR-it, shumica e protestuesve dëshironin të protestonin në mënyrë paqësore, por, në mes tyre kishte edhe grupe kriminale që nxisnin veprime të dhunshme kundër forcave të KFOR-it.
Protestat e serbëve filluan në veriun e Kosovës, pas emërimit të kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe, të cilët nuk lejoheshin të hynin në zyrat e tyre për të ushtruar detyrat e kryetarëve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.