BALLKANI

Kosovë, mbahet Takimi i 19-të i Ministrave të Bujqësisë të Evropës Juglindore

Gjatë ceremonisë, presidenca e Grupit të Përhershëm për Zhvillim Rural Rajonal (SWG) iu dorëzua Kosovës nga Maqedonia e Veriut

Agim Sulaj  | 01.10.2025 - Përdıtësım : 01.10.2025
Kosovë, mbahet Takimi i 19-të i Ministrave të Bujqësisë të Evropës Juglindore Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, u mbajt Takimi i 19-të vjetor i Punës së Ministrave të Bujqësisë nga vendet e Evropës Juglindore, në organizim të Grupit të Përhershëm për Zhvillim Rural Rajonal (SWG), raporton Anadolu.

Në hapjen zyrtare morën pjesë ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Faton Peci, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i SWG-së, Boban Iliq.

Gjatë ceremonisë, presidenca e SWG-së iu dorëzua Kosovës nga Maqedonia e Veriut.

Ministri Peci tha se në aspektin financiar, përmes granteve dhe subvencioneve, fermerët e Kosovës janë mbështetur me mbi 300 milionë euro për periudhën 2021-2024.

Peci tha se Kosova ka bërë përparime në disa aspekte karshi kërkesave të Bashkimit Evropian(BE) në sektorin e bujqësisë, sigurisë së ushqimit dhe veterinarisë.

“Që nga marrja e detyrës si ministër i Bujqësisë, kam mbetur plotësisht i përkushtuar që politika bujqësore e Kosovës, sektori agro-ushqimor dhe ai i pylltarisë të përafrohen me standardet e Bashkimit Evropian, duke përfshirë respektimin e rregullave të BE-së, zbatimin e praktikave më të mira dhe harmonizimin e të gjitha aktnënligjeve dhe rregulloreve me ato të standardeve të Bashkimit Evropian”, tha Peci.

Në kuadër të takimit u diskutua për përparimin drejt politikës së përbashkët bujqësore (CAP) dhe programit IPARD, si dhe procesin e integrimit evropian në sektorin e bujqësisë.

Përmes një fjalimi online, shefi i Njësisë së Komisionit Evropian për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Frank Bollen, prezantoi të arriturat dhe sfidat e rajonit në këtë drejtim.

Pjesë e programit ishte edhe adresimi i samitit të Procesit të Berlinit nga ministri britanik i Shtetit për Evropën, Amerikën Veriore dhe Territoret Jashtëdetare, Stephen Doughty, si dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Takimi u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit rajonal në bujqësi, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e sigurisë ushqimore në vendet e Evropës Juglindore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.