BALLKANI

Kosovë, mbahet forumi ndërkombëtar për diasporën "Ulpiana"

Në këtë forum u tha se "Ulpiana" shërben si platformë e cila lidhë urat e ndërtuara nga Qeveritë për nevojat e komuniteteve jashtë vendeve të tyre

Agim Sulaj  | 17.11.2023 - Përdıtësım : 18.11.2023
Kosovë, mbahet forumi ndërkombëtar për diasporën "Ulpiana" Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar Forumin Ndërkombëtar "Ulpiana" që synon të avancojë marrëdhëniet ndërmjet qeverive dhe politikave nëpërmjet angazhimit të diasporës dhe zhvillimit ndërkombëtar, raporton Anadolu.

Në këtë forum ku morën pjesë ministra të jashtëm dhe përfaqësues të institucioneve nga vendet e rajonit, u tha se "Ulpiana" shërben si platformë e cila lidhë urat e ndërtuara nga Qeveritë për nevojat e komuniteteve jashte vendeve të tyre.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla tha se ajo vet ka jetuar mbi 40 vite jashtë Kosovës dhe sjellja e përvojave nga Gjermania është e rëndësishme.

Ajo tha se diaspora është një nga prioritetet në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

"Diaspora jonë ka nevojë jo aq shumë për Kosovën kur bëhet fjalë për jetën këtu, ndërsa jo vetëm Kosova por edhe vendet e rajonit kanë nevojë për diasporën të cilët jetojnë kryesisht në demokraci të hapura dhe zhvilluara ekonomike dhe sjellje të natyrshme sa i përket sundimit të ligjit", theksoi Gërvalla e cila shtoi se diaspora sjell më shumë se 1 miliard euro të hyra në Kosovë, e cila është 1/3-ta e buxhetit të përgjithshëm të vendit.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se Maqedonia e Veriut ka dy pjesë të diasporës, ata të vjetrit të dalë në vitet e 90-ta jasht vendit dhe këta që kanë dalë më së voni.

Osmani tha se nuk ka të dhëna për ata më të vjetrit që kanë dalë nga shteti, por konsideroi se janë rreth 400 deri 500 mijë njerëz pjesë e diasporës së Maqedonisë së Veriut.

"E vetmja mënyrë që ta ndalojmë migrimin, që t'i mbajmë të rinjtë tanë në vendin tonë dhe mos ta rrisim komunitetin e diasporës, është që t'i bashkangjitemi Bashkimit Evropian, që ta mbyllim këtë boshllëk socio-ekonomik mes nesh dhe vendeve ku njerëzit tanë shkojnë për një jetë më të mirë", theksoi Osmani.

Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Zdenko Luciq tha se përgjatë historisë nga Kroacia ka pasur migrim për arsye ekonomike dhe politike, ndërsa kur Kroacia u anëtarësua në BE ishte më shumë arsye ekonomike që njerëzit ikën nga vendlindja drejt vendeve më të zhvilluara.

Ai tha se ajo që shtetet duhet të bëjnë në mënyrë që të parandalojnë emigrimin është që të ruajnë talentët dhe t’i joshin njerëzit që të kthehen në vendlindje dhe të ketë një bashkëpunim të shteteve me diasporën. "Kroacia ka bërë mjaft që nga koha e pavarësisë së saj me qëllim të forcimit të ekonomisë dhe për t’ju dhënë njerëzve arsye që të kthehen përsëri në Kroaci", theksoi Luciq.

Ai shtoi se Kroacia mundohet që nëpërmjet strukturave institucionale të mbështetë organizatat të cilat janë të lidhura me diasporën.

Forumi "Ulpiana" po mbahet në Prishtinë nga 16 nëntori dhe përfundon më 18 nëntor.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın