BALLKANI

Kosovë, kryeministri Kurti priti në takim presidentin e Shqipërisë Ilir Meta

Kryeministri Kurti e njoftoi Presidentin Meta për përgatitjet rreth mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Shqipërisë, që mbahet nesër (26 nëntor) në Elbasan, ku priten të nënshkruhen rreth 15 marrëveshje

Agim Sulaj   | 25.11.2021
Kosovë, kryeministri Kurti priti në takim presidentin e Shqipërisë Ilir Meta Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në ambientet e qeverisë në takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, kryeministri Kurti e njoftoi presidentin Meta për përgatitjet rreth mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Shqipërisë, që mbahet nesër (26 nëntor) në Elbasan, ku priten të nënshkruhen rreth 15 marrëveshje.

Kryeministri Kurti e ka informuar presidentin shqiptar për menaxhimin e pandemisë së COVID-19 në Kosovë, ndërsa ka folur edhe për situatën ekonomike në vend.

Duke folur për strehimin e qytetarëve afganë, Kurti tha se Kosova ka pranuar 1.341 refugjatë, por aktualisht në Kosovë janë 650 afganë, ndërsa 691 të tjerë tashmë janë larguar për në vende të tjera.

Në takim është diskutuar edhe për iniciativat rajonale, ku Kurti përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur” kur Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës, nuk ia njeh diplomat, dokumentet e identifikimit, certifikatat e vulat doganore.

Lidhur me dialogun, Kurti theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të mbetet në fund, por ajo duhet të jetë në qendër të procesit. Po kështu, Kurti kërkoi që Shqipëria ta mbrojë Kosovën nga sulmet e Serbisë në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, sidomos ato në të cilat Kosova nuk është anëtare.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e vlerësoi si pozitive transparencën në qeverisje dhe shtoi se duhet më shumë bashkëpunim me biznese, që edhe ata të ndihen pjesë e qeverisjes.

Meta po qëndron në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, ku përpos takimeve me udhëheqës të institucioneve të larta, ka takuar edhe krerë të partive politike parlamentare në vend.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.