BALLKANI

Kosovë, hapet forumi i biznesit “Kosovo Business Forum”

Në hapjen e këtij forumi morën pjesë përfaqësues të ndryshëm të bizneseve, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadorë të vendeve të huaja, si dhe të ftuar të tjerë

Agim Sulaj  | 24.01.2024 - Përdıtësım : 24.01.2024
Kosovë, hapet forumi i biznesit “Kosovo Business Forum” Foto: Agim Sulaj/AA

Prishtinë

Në Prishtinë është hapur forumi i biznesit “Kosovo Business Forum” me temë kryesore “Prishtina 2030 - Udhëheqja e rrugës drejt një kryeqyteti të së ardhmes”, raporton Anadolu.

Këto tre ditë, më 23, 24 dhe 25 janar, me moton “Fuqizimi i atyre që sjellin ndryshime” ky forum do të bashkojë aktorë të ndryshëm, përfshirë liderë biznesi, ekspertë, analistë dhe politikbërës me fokus sfidat dhe mundësitë ekonomike të Kosovës në sektorin privat.

Në hapjen e këtij forumi morën pjesë përfaqësues të ndryshëm të bizneseve, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadorë të vendeve të huaja, përfshirë ambasadorin e Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı dhe kryetari i Odës Ekonomike Kosovaro-Turke, Abdurrahman Balkız.

Kreu i Prishtinës, Rama, tha se kjo ngjarje është me rëndësi shumë të madhe për kryeqytetin kosovar dhe zhvillimin e shoqërisë në Kosovë.

Ai tha se kjo është një platformë për nxitjen e lidhjes dhe bashkëpunimit që tejkalon të tashmen dhe vendos gurthemelin e një zhvillimi ekonomik për dekada të ardhshme.

“Në një epokë ndryshimesh dinamike globale është e domosdoshme që ne të bëhemi bashkë për të diskutuar dhe formësuar të ardhmen e kryeqytetit tonë... në një epokë si kjo, kur Kosova ka një rini të jashtëzakonshme dhe të gjitha kushtet që të bëhemi liderë në fushën e biznesit, artit, sportit, kulturës e teknologjisë. Pikërisht ky forum ofron mundësi që të eksplorojmë potencialin e madh që ofron Prishtina për bizneset, investitorët dhe qytetarët”, theksoi Rama.

Forumi, i cili po organizohet nga 'AE Consult' në partneritet me Komunën e Prishtinës, organizohet për herë të parë në Kosovë dhe synon të bëhet i përvitshëm dhe të jetë ngjarje ekonomike kryesore kombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.