Kosovë: Gjykata Kushtetuese anulon dekretin e Osmanit, cakton afat 34 ditë për zgjedhjen e presidentit të ri
Gjykata ka konstatuar se deputetët kanë në dispozicion 34 ditë për të përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit, në të kundërtën, Kuvendi do të shpërndahet automatikisht dhe do të organizohen zgjedhje të parakohshme.
Shkup
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin lidhur me dekretin e 6 marsit 2026 të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke e shpallur atë të pavlefshëm dhe pa asnjë efekt juridik, transmeton Anadolu.
Sipas aktgjykimit të sotëm, i cili ka hyrë në fuqi menjëherë, Gjykata ka konstatuar se deputetët e Kuvendit kanë në dispozicion 34 ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit. Nëse kjo procedurë nuk përfundon brenda kësaj periudhe, Kuvendi do të shpërndahet automatikisht në përputhje me Kushtetutën dhe do të organizohen zgjedhje të parakohshme.
Në bazë të këtij vendimi, Gjykata e shpalli të pranueshme kërkesën e kryeministrit Albin Kurti në emër të Qeverisë, si dhe kërkesën e deputetes Arbërie Nagavci në emër të 30 deputetëve, të parashtruar më 9 mars, duke konstatuar se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik.
Në përfundimin e nxjerrë në aktgjykim, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se afati i përcaktuar në pikën 2 të nenit 86 të Kushtetutës, që përcakton se zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, “është detyrues dhe përfundimtar, dhe se marrë për bazë karakterin detyrues të këtij afati, i njëjti nuk mund të relativizohet”.
Megjithëkëtë Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i konstituuar më 11 shkurt nuk i ka pasur 60 ditë në dispozicion, brenda së cilës duhej përfunduara procedura për zgjedhjen e peridentit, afat ky i përcaktuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës.
“Megjithatë, duke iu referuar nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet që Kuvendi shpërndahet në rastin kur ‘nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës’, Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë (60) ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”, thuhet në aktgjykim.
Si rrjedhojë, Gjykata ka ritheksuar se interpretimi i saj lidhur me afatet kushtetuese të përcaktuara me nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit, ashtu siç është specifikuar në paragrafët 153-162 të këtij Aktgjykimi, mbeten të aplikueshme në të gjitha rastet e zgjedhjes së presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Ndryshe, Osmani kishte shpallur dekretin më 6 mars, një ditë pasi Kuvendi kishte dështuar të zgjidhte presidentin e ri në mungesë kuorumi.
Presidentja e arsyetoi nxjerrjen e dekretit duke deklaruar se 5 marsi përbënte afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke pasur parasysh se mandati i saj përfundon më 4 prill, dhe se deputetët nuk kishin arritur t’i respektonin afatet e parashikuara me ligj.
Në anën tjetër, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e kundërshtoi këtë qëndrim, duke theksuar se dekreti i presidentes nuk kishte bazë ligjore, pasi procedura për zgjedhjen e presidentit ishte nisur më 5 mars dhe sipas Kushtetutës, ekziston një afat prej 60 ditësh për përfundimin e saj, për çka edhe e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
