Kosovë, gjatë vitit 2020 u regjistruan mbi 1.300 raste të reja me kancer
Kryetari i Shoqatës së Onkologëve, Arben Bislimi tha se kanceri më i shpeshtë tek femrat në Kosovë është kanceri i gjirit ndërsa tek meshkujt ai i mushkërive
Prishtinë
Klinika e Onkologjisë dhe Shoqata e Onkologëve të Kosovës kanë mbajtur një aktivitet sensibilizues me rastin e Ditës Botërore të luftës kundër Kancerit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo ditë ka për qëllim të parandalojë miliona vdekje që ndodhin në vit duke e rritur vetëdijesimin dhe duke edukuar për kancerin.
Doktoresha e Klinikës së Onkologjisë, Vildana Goga, duke folur rreth kapaciteteve vendore në përballje me këtë sëmundje, tha se në klinikën ku punon ajo ka 50 shtretër për shërbim ambulant dhe 15 shtretër të tjerë spitalor për pacientët me kancer.
Ajo tha se mesatarja e trajtimit të pacientëve me kancer për kimioterapi dhe radioterapi në këtë klinikë, është 230 pacientë në ditë.
“Rastet e reja të pacientëve me kancer për vitin 2020 janë 1.336, duke përjashtuar rastet e atyre që shërohen në klinika private dhe jashtë vendit. Ndër patologjitë më të shpeshta tek ne ashtu sikurse në gjithë botën, është ajo e gjirit. Kemi 332 raste të shënuara me karcinom të gjirit apo 25 për qind të rasteve në total. Pastaj është trakti uro-gjenital me 24 për qind të rasteve pastaj patologjia e traktit gastro-intenstinal me 23 për qind të rasteve”, theksoi ajo.
Sipas Gogës, në dallim prej vitit 2019, ka rënie të lehtë të rasteve me kancer, prej 15 për qind më pak.
Kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, Arben Bislimi, në një deklaratë për AA tha se kanceri më i shpeshtë tek femrat në Kosovë është kanceri i gjirit ndërsa tek meshkujt ai i mushkërive.
“Akoma prinë këto raste në vendin tonë, por edhe në rajon janë të ngjashme. Lidhshmëria e këtyre llojeve të kancerit me faktorët ambiental dhe me atë se çfarë konsumojmë gjithmonë është ekzistente por jo shumë me rastin e kancerit të gjirit sa tek ai i mushkërive”, theksoi Bislimi, i cili përmendi se banorët të cilët janë të ekspozuar përballë ndotjeve atmosferike në Kosovë, preken më shpesh me llojin e kancerit të mushkërive.
Përfaqësuesja e pacientëve në QKUK, Nafije Latifi tha se për trajtimin e kancerit në spitalet shtetërore mungojnë barnat, por edhe kushtet infrastrukturore, ndërsa siç thotë ajo, gjithmonë duhet të pritet për një shtrat të lirë.
“Çdo ditë vërej përmirësime por që ato nuk mjaftojnë dhe fajtor për këtë është politika shëndetësore. Buxheti që i ofrohet kësaj klinike është i vogël”, theksoi ajo.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila po ashtu ka kërkuar përmirësim të infrastrukturës dhe kushteve në sistemin e shëndetësisë.
Në botë nga kanceri vdesin rreth 10 milionë persona brenda një viti, duke e bërë atë si shkakun e dytë më të shpeshtë të vdekjeve në mbarë botën. 70 për qind e rasteve të vdekjes nga kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të ardhura mesatare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
