Kosovë, fillon zbatimi i masave të reja kundër përhapjes së COVID-19
Në Prishtinë, qyteti me më së shumti banorë në territorin e Kosovës, ka filluar nga ora 7 e mbrëmjes ora policore

Prishtinë
Në Kosovë ka filluar zbatimi i masave të reja që u miratuan nga Qeveria e Kosovës një ditë më herët me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Në Prishtinë, qyteti me më së shumti banorë në territorin e Kosovës, ka filluar nga ora 7 e mbrëmjes ora policore dhe mbyllja e gjithë aktivitetit ekonomik.
Sheshet e kryeqytetit, rrugët, kanë rënë në heshtje mbrëmjen e së premtes nga ora policore e cila nuk është vendosur që nga muaji qershor.
Masat e reja kanë ndarë komunat sipas numrit të të infektuarve në tri zona të rrezikshmërisë: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.
Zona e Kuqe ku përfshihet Prishtina, Podujeva, Ferizaj, Gjakova, Peja, Gjilani, Fushë Kosova, Shtimja dhe Obiliqi do të ketë orë policore ku përpos mbylljes së aktivitetit ekonomik, ndalohet hyrja dhe dalja e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 7 e mbrëmjes deri në orën 5 në mëngjes.
Në komunat në zonën e verdhë në Kosovë nuk do të ketë orë policore dhe operatorët ekonomikë nuk lejohen të punojnë nga ora 6 e mbrëmjes deri në orën 5 në mëngjes, ndërsa pas kësaj shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë do të lejohen të punojnë me shërbimin “merre me vete”.
Në komunat në zonën e gjelbër gjithashtu nuk do të ketë orë policore ndërkaq operatorëve ekonomikë nuk u lejohet puna nga ora 8 e mbrëmjes deri në ora 5 në mëngjes, ndërsa pas kësaj shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë do të lejohen të punojnë me shërbimin “merre me vete”.
Në të gjitha komunat transporti publik do të lejohet të punojë me kapacitet të reduktuar.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili vizitoi të enjten Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se gjendja është e rëndë.
“Kjo është situatë e luftës, duke u përballur çdo ditë me një rrezik të madh, me viktima”, tha Hoti.
Masat, sipas vendimit të qeverisë do të vlerësohen pas dy jave, varësisht nga situata epidemiologjike në vend, dhe si i tillë vlen deri në një vendim tjetër.
Në Kosovë sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike nga 13 marsi kur janë raportuar rastet e para me virus e deri më tani numri i të infektuarve me COVID-19 ka shkuar në 27.851 nga të cilët 797 kanë vdekur dhe 16.862 janë shëruar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.