Kosovë, dalje e ulët në votime në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale
"Numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 429 mijë e 736 votues apo 32,64 për qind nga 1 milionë e 316 mijë e 672 votues”, njoftoi Radoniqi
Prishtinë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se vetëm rreth 32 për qind e qytetarëve me të drejtë vote kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës në kuadër të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në 18 komuna të Kosovës, raporton Anadolu.
Në konferencën përmbyllëse të KQZ-së për pjesëmarrjen e qytetarëve, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi i votimit është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe deri në mbylljen e vendvotimeve nuk janë raportuar parregullsi të cilat do ta cenonin procesin.
Ai bëri të ditur se numri i votuesve në raundin e dytë në këto komuna, ishte më i vogël se në raundin e parë.
“Duke u mbështetur nga të dhënat preliminare që kemi pranuar nga rreth 99 për qind të vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 429 mijë e 736 votues apo 32,64 për qind nga 1 milionë e 316 mijë e 672 votues. Deri në të njëjtën kohë në raundin e parë në këto 18 komuna kishin votuar 38,91 për qind apo 512 mijë e 160 votues nga 1 milionë e 316 mijë e 129 votues”, tha Radoniqi.
Ai njoftoi se aktualisht në vendvotime po bëhet numërimi i fletëvotimeve dhe në disa prej tyre ka përfunduar ky proces.
Radoniqi tha se tani e tutje fillon publikimi i rezultateve preliminare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
