Kosovë, ndalohet për 48 orë i dyshuari për sulm ndaj KFOR-it dhe policisë
Prokuroria bën të ditur se në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar urdhër kontrolli, ku janë gjetur prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës penale
Prishtinë
I dyshuari për veprime të kundërligjshme ndaj pjesëtarëve të Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është ndaluar për 48 orë, transmeton Anadolu.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet S.R. i cili u arrestua nga hetuesit policorë nga Drejtoria për hetimin e Krimeve të Rënda në Zveçan.
"S.R. është ndaluar mbi dyshimet për veprat penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm si dhe sulm ndaj personit zyrtar", njofton PSRK.
Po ashtu, Prokuroria bën të ditur se në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar urdhër kontrolli, ku janë gjetur prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës penale.
Brenda afatit të përcaktuar ligjor, ndaj S.R. do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, derisa hetuesit policorë, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me ligjet në fuqi.
Në maj të vitit 2023 protestat e serbëve kundër kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, kulmuan me përleshje të protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda. Në njëvjetorin e protestave të dhunshme, KFOR-i tha se sulmet ishin "të paprovokuara dhe krejtësisht të papranueshme".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
