BALLKANI

Kosovë, aktorë vendorë e ndërkombëtarë diskutojnë për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë

Regjistrimi zyrtar në tërë territorin e Republikës së Kosovës do të realizohet në periudhën 1 shtator deri më 16 tetor 2023

Agim Sulaj  | 08.11.2022 - Përdıtësım : 08.11.2022
Kosovë, aktorë vendorë e ndërkombëtarë diskutojnë për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë Foto: Agim Sulaj / AA

Prishtinë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), me mbështetjen e Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara – UNFPA (Zyra në Kosovë), ka organizuar konferencën “Java e Regjistrimit të Popullsisë 2023”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë konferencë morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, përfaqësues së Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) e të tjerë.

Java e Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë, e cila do të mbahet për katër ditë (8 deri 11 nëntor), synon të mbledhë aktorët kryesorë në vend të nivelit qendror, lokal, regjional e ndërkombëtar për të diskutuar rëndësinë e procesit të regjistrimit, metodologjinë e qasjet implementuese, modelet dhe praktikat më të mira shtetërore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për të planifikuar dhe zbatuar politikat e bazuara në evidencë dhe për zhvillim ekonomik dhe social është “e domosdoshme të kemi të dhëna të besueshme dhe të detajuara”.

Kurti tha se regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave, përbën një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale në Kosovë.

“Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e niveli i edukimit, janë bilanci empirik i së tashmes dhe baza e politikave për të ardhmen. Ato u mundësojnë të gjithë shfrytëzuesve të të dhënave, e veçanërisht vendimmarrësve në nivelin lokal e qendror, por edhe donatorëve e investuesve të tjerë orientimin dhe targetimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarë”, theksoi Kurti.

Ai shtoi se të dhënat janë pikë referuese për një planifikim afatgjatë.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, tha se të dhënat statistikore janë indikatori kyç për kërkim dhe ndërlidhjet me shoqërinë.

Sipas tij, statistikat zyrtare krijojnë një element të domosdoshëm të informacionit në shoqëri në shërbim të Qeverisë, ekonomisë dhe publikut mbi indikatorët e gjendjes demografike, sociale e mjedisore.

“Planifikimi hapësinor dhe urban dhe përmirësimi i kushteve të jetës së qytetarëve tanë si prioritet i Qeverisë, kërkojnë angazhim profesional e shkencor në identifikimin e nevojave, kërkesave e sfidave të qytetarëve tanë”, theksoi Aliu.

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, tha se pa shifra të sakta nuk mund të identifikohen nevojat e qytetarëve.

Spence tha se numërimi i popullsisë do të krijojë mundësinë për të pasur të dhëna dhe do t’u ndihmojë qytetarëve të Kosovës, ndërsa për këtë ajo tha se Kosova “mund të kalkulojë në mbështetje të fuqishme nga Kombet e Bashkuara”.

“Aplaudojmë ASK-në për përgatitjet për regjistrim vitin e ardhshëm dhe që do të përballen me një sfidë ku shpresojmë se rezultatet do të jenë të sakta dhe gjithçka do të regjistrohet”, theksoi Spence.

Regjistrimi zyrtar në tërë territorin e Republikës së Kosovës do të realizohet në periudhën 1 shtator deri më 16 tetor 2023.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se pjesëmarrja qytetare në regjistrim është obligim ligjor dhe çdo banor i Republikës së Kosovës obligohet që gjatë regjistrimit zyrtarit të ofrojë të dhënat e sakta për vete dhe të afërmit e tij/saj. Gjithashtu, sipas ASK-së, për herë të parë në Kosovë të dhënat e regjistrimit të popullsisë do të mblidhen në mënyrë digjitale dhe në përputhje të plotë me rekomandimet ndërkombëtare të Eurostatit dhe OKB-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın