Kosovë, 300 ushtarë të vendeve të ndryshme të KFOR-it realizojnë marsh së bashku
Marshimi përfshiu 30 kilometra me një çantë shpine 11 kilogramëshe dhe u zhvillua në nderim të ushtarëve të rënë
Prishtinë
Gati 300 ushtarë nga vende të ndryshme të botës të cilët shërbejnë në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, kanë marrë pjesë në marshimin norvegjez "Ruck" në kampin "Bondsteel" në Kosovë, transmeton Anadolu.
KFOR-i nëpërmjet një njoftimi për media tha se ushtarët që morën pjesë në këtë marshim vinin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermania, Danimarka, Bullgaria, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Zvicra, Kroacia, Letonia, Sllovakia dhe Polonia, të cilët shërbejnë në kuadër të Komandës Rajonale – Lindje.
"Marshimi përfshiu 30 kilometra me një çantë shpine 11 kilogramëshe dhe u zhvillua në nderim të ushtarëve të rënë, duke reflektuar përkushtimin, qëndrueshmërinë dhe profesionalizmin e ushtarëve të KFOR-it", thuhet në njoftim.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.
