Kosovë, 1.317 persona humbën jetën në aksidente rrugore në vitet 2010-2019
Në një konferencë për media, ku morën pjesë ministra dhe udhëheqës të institucioneve të sigurisë, u tha se në dekadën e fundit në Kosovë çdo vit nga aksidentet kanë vdekur rreth 130 njerëz

Prishtinë
Autoritetet shtetërore të sigurisë së rrugëve në Kosovë kanë prezantuar një raport vlerësues rreth aksidenteve në vend të titulluar “Dekada e sigurisë 2010-2019”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media, ku morën pjesë ministra dhe udhëheqës të institucioneve të sigurisë, u tha se në dekadën e fundit në Kosovë çdo vit nga aksidentet kanë vdekur rreth 130 njerëz.
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, tha se duke pasur parasysh se rritja e numrit të veturave në vend ka shkaktuar numër më të lartë edhe të aksidenteve në rrugë, tani siguria rrugore është njëra nga problemet kryesore në vendin tonë. Ai tha se nevojitet bashkëpunim i institucioneve dhe qytetarëve të vendit në mënyrë që të zvogëlohet kjo dukuri.
“Nga viti 2010 deri në vitin 2019 në rrugët e Kosovës kanë humbur jetën 1,317 persona dhe janë lënduar mbi 536 mijë të tjerë, janë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe dhimbje të pallogaritshme për të afërmit e viktimave”, tha ministri Abrashi, duke shtuar se studimet kanë treguar se pa renditjen e sigurisë rrugore si prioritet të lartë në axhendën shtetërore nuk do të ketë ulje të aksidenteve rrugore.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, tha se siguria në rrugë ende kërkon vëmendje të shtuar të institucioneve relevante. Ai tha se gjendja e sigurisë rrugore në periudhën nga janari i vitit 2018 deri në dhjetor të vitit 2019, edhe pse ka pasur përmirësime në disa elemente ka pasur ngritje të shifrave.
“Numri i kundërvajtjeve të shqiptuara gjatë vitit 2019 në krahasim me vitin 2018 ka shënuar ngritje për 11,4 për qind apo 45.654 kundërvajtje më shumë se sa në vitin paraprak. Me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafikun rrugor, Ministria e Punëve të Brendshme konkretisht Policia e Kosovës vazhdimisht ka zhvilluar aktivitete të rregullta policore, operacione të ndryshme policore të ndërlidhura me dukuritë e evidentuara. Ka trajtuar dhe proceduar problemet në infrastrukturën rrugore, por edhe në infrastrukturën ligjore”, tha Veliu.
Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se nëse krahasohet numri i aksidenteve fatale me numrin e vrasjeve që ndodhin në vend, ato janë në raport 5 me 1, pra, tha ai, ndodhin 5 aksidente fatale dhe 1 vrasje. Qalaj tha se për shkaktimin e aksidenteve, 85 për qind të aksidenteve të regjistruara kanë qenë si pasojë e faktorit njeri.
Sa i përket rajoneve të Kosovës, Prishtina është radhitur si qyteti me më së shumti aksidente, derisa autostrada “Ibrahim Rugova” me më së paku aksidente. E hëna është raportuar si dita më e rrezikshme për aksidente, ndërsa e diela më pak e rrezikshmja. Ora kulmore e rrezikshme për aksidente është nga ora 14:00 deri në orën 18:00, ndërsa ajo më pak e rrezikshme nga ora 2 e mëngjesit deri në orën 6 të mëngjesit.
Raporti, bën të ditur se çdo vit në botë vdesin më shumë se 1.3 milion njerëz nga aksidentet, ndërsa çdo vit lëndohen më shumë se 10 milion njerëz lehtë ose rëndë.