Kopshti Zoologjik, atraksioni i veçantë i Tiranës
Disa nga kafshët e njohura të Kopshtit Zoologjik të Tiranës janë luani afrikan, tigri i bardhë, tigri i Siberisë, ujku, lama, dreri, ariu dhe lemuri, ndërkohë që pjesë janë edhe shpendë si shqiponja, skifteri, huta, pula hindi, palloi dhe struci

Tiranë
Në mesin e atraksioneve që ka Tirana është edhe Kopshti Zoologjik, që në vitet e fundit është shndërruar në një hapësirë rekreative.
I konsideruar si i vetmi park zoologjik publik në Shqipëri, kopshti ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1966 dhe me kalimin e viteve është transformuar, ndërkohë që administrohet nga Bashkia e Tiranës.
Parku zoologjik, përveç transformimit të ambienteve për kafshët dhe shpendët, aktualisht është shndërruar në një hapësirë për argëtimin e fëmijëve, por edhe në një ambient çlodhës për vizitorët.
Disa nga kafshët e njohura të Kopshtit Zoologjik të Tiranës janë luani afrikan, tigri i bardhë, tigri i Siberisë, ujku, lama, alpaka, dreri, ariu dhe lemuri, si dhe kafshë që konsiderohen si "kafshët e fermës".
Gjithashtu, pjesë janë edhe shpendë dhe gjallesa të tjera si shqiponja, skifteri, huta, rosa, pata, pula hindi, palloi, struci dhe të tjera.
Për Anadolu, shefi i Departamentit të Veterinarisë në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, Ariel Vasili, shprehet se rikonceptimi i kopshtit zoologjik është bërë për të krijuar habitate më të mira dhe për qëllime edukimi.
"Kopshti Zoologjik i Tiranës është themeluar fillimisht në vitin 1966. Ka pasur një rinovim të tij në 1973, por rikonceptimi dhe përshtatja në një hapësirë rekreative me habitate më të mira për kafshët, përmirësim të mirëqenies së kafshëve, duke e kthyer këtë në një institucion për edukimin e publikut ka ndodhur në verën e 2022", tha Vasili.
- “Interesi më i madh i vizitorëve kryesisht fokusohet te luanët”
Vasili tregon se në Kopshtin Zoologjik kanë hapësirën e felinëve të mëdhenj, katër luanë dhe tre tigra, ndër ta dhe një tigër të bardhë siberian. Gjithashtu është transformuar edhe hapësira e zogjve të moçalit dhe shpendëve grabitqarë.
Ai thekson se interesi më i madh i vizitorëve kryesisht fokusohet te luanët. "Kemi një grup të vogël lemurësh të cilët gjithashtu tërheqin shumë vëmendje sepse është hera e parë në Shqipëri që kemi një popullatë lemuri dhe është nga të paktat popullata në Ballkan të lemurëve. Kemi tre arinj të një moshe të avancuar", tha Vasili.
Vasili shprehet se dietat ushqimore janë të përgatitura nga Kopshti Zoologjik dhe sipas tij, janë miratuar nga Shoqata Evropiane e Kopshteve Zoologjike dhe Akuariumeve (The European Association of Zoos and Aquaria), por edhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural e Shqipërisë.
"Ushqimi vazhdimisht monitorohet nga unë dhe kolegë zooteknikë. Shumica e mjekimeve bëhen nga distanca", tha Vasili.
Vasili thekson se duke qenë se ekziston një hendek shumë i madh në hapësirën e edukimit për disa specie, kanë hapur edhe dy klasa edukative, që janë klasa e iktiologjisë dhe klasa e zvarranikëve.