Shkencë dhe Teknologji, BALLKANI

Kopshti Botanik në Shkup, shtëpi e bimëve të rralla

I krijuar në vitet 50 të shekullit të kaluar, në këtë kopsht botanik ndodhen mbi një mijë llojeve të bimëve, shumë prej të cilave janë të rralla

Aida Cako  | 14.12.2024 - Përdıtësım : 16.12.2024
Kopshti Botanik në Shkup, shtëpi e bimëve të rralla Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

SHKUP (AA) - AIDA CAKO - Kopshti Botanik në Shkup, pjesë e Institutit të Biologjisë pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës, është një qendër unike për hulumtime, edukim, si dhe për mbrojtjen e bimëve, duke qenë një nga institutet më të vjetra të këtij lloji në Maqedoninë e Veriut.

I krijuar në vitet 50 të shekullit të kaluar, në këtë kopsht botanik ndodhen mbi një mijë llojeve të bimëve, shumë prej të cilave janë të rralla.

"Ka 74 vjet që ekziston kopshti botanik", tha për Anadolu Cvetanka Stojçevska, asistente-hulumtuese dhe magjistre e biosistematikës.

“Përgjithësisht kemi lloje alloktone bimësh, specie që përfaqësojnë florën botërore, sigurisht kemi edhe një objekt për bimët e rralla, ku ruhen bimë nga malet tona në përgjithësi, por kemi edhe nga pellgjet dhe luginat, ku bimët rriten natyrshëm në këto territore”, shtoi Stojçevska.

- Misioni shkencor dhe edukues

Funksioni kryesor i Kopshtit Botanik është shkencor dhe edukativ.

“Funksioni shkencor në fakt ka të bëjë me shërbimet që i mundësohet fakultetit për qëllime shkencore, ndërsa funksioni edukues është ai me të cilin jemi marrë më shumë në 5-7 vitet e fundit. Qëllimi ynë kryesor është të forcojmë vetëdijen e më të rinjve, të nxënësve nga arsimi fillor dhe i mesëm, ndonëse vijnë shumë edhe fëmijë nga çerdhet”, shpjegon Stojçevska.

Në kuadër të aktiviteteve edukative, Kopshti Botanik organizon punëtori për nxënësit, me tema të përshtatura për lëndët e studiuara në shkolla.

“Jam veçanërisht e kënaqur që në dy vitet e fundit Kopshti Botanik ka qenë pjesë e rrjetit të mësimit eksperimental, përmes përvojës, i mbështetur nga UNICEF-i dhe Ambasada e Suedisë”, shton ajo.

- Fokusimi në ekologji dhe ndotje

Këtë semestër, Kopshti Botanik është fokusuar edhe në temën e ndotjes së ajrit.

“Ne fokusohemi në cilësinë e ajrit, si ndikojnë bimët në ndotje, pra nëse ka ndonjë efekt zbutës dhe si ndikon ndotja vetë te bimët si organizma të gjallë”, thotë Stojçevska.

- Shumëllojshmëri bimësh

Kopshti botanik ka një serrë bujqësore prej 100 metrash katrorë dhe një park prej 11 hektarësh. Rreth 500 lloje të ndryshme bimësh mbahen në serrë, ndërsa në park ka mbi 450 lloje të bimëve dhe pemëve tjera.

“Ne kemi 'sansevieria', 'zamia', 'ficus', 'tradescantia', 'cicar revoluta', 'bougainvillea', 'aloe vera' dhe shumë bimë të tjera, duke përfshirë specie të rralla nga malet dhe luginat tona”, shpjegon Stojçevska.

Siç thekson ajo, një nga aspektet kryesore të punës është mbrojtja e bimëve të rrezikuara.

“Shkojmë në terren, i etiketojmë ato bimë që i njohim si të rralla dhe të rrezikuara dhe mundohemi t’i mbrojmë, si në habitatin e tyre natyror, ashtu edhe jashtë tij”, thotë Stojçevska, duke sqaruar se kjo njihet si mbrojtje "ex situ".

Edhe pse arrijnë rezultate të rëndësishme, Kopshti Botanik shpreson në kapacitete më të mëdha në të ardhmen.

“Shpresojmë të pasurojmë diversitetin tonë me më shumë bimë dhe serra”, thotë Stojçevska, duke shtuar:

“Kur shkoni në çdo qytet, gjëja e parë që duhet të vizitoni është kopshti botanik dhe kopshti zoologjik. Këto janë institucione që ju tregojnë shumë për vendin, ndaj shpresoj që në të ardhmen të kemi më shumë bimë përfaqësuese dhe të kemi mundësi të zhvillohemi nga pikëpamja turistike”.

Kopshti Botanik në Shkup mbetet një institucion i rëndësishëm jo vetëm për ruajtjen e natyrës, por edhe për edukimin dhe frymëzimin e gjeneratave të reja.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın