BALLKANI

Konstituohet Kuvendi i Kosovës, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme

Nenad Rashiq mori mbështetjen e deputetëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Agim Sulaj  | 10.10.2025 - Përdıtësım : 10.10.2025
Konstituohet Kuvendi i Kosovës, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Deputetët e Legjislaturës së Nëntë kanë votuar me shumicë votash për emërimin e deputetit serb Nenad Rashiq për nënkryetar të Kuvendit, gjë e cila kompletoi konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe i hapi rrugë formimit të qeverisë së re, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, raporton Anadolu.

"Të nderuar deputetë, ju njoftoj se me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, Kuvendi zgjodhi deputetin Nenad Rashiq nënkryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit serb", tha kryeparlamentari Dimal Basha pas votimit.

Rashiq mori mbështetjen e deputetëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Paraprakisht, Lista Serbe propozoi nëntë deputetët e saj të Kuvendit për nënkryetar të këtij institucioni, por asnjëri nga ta nuk mori më shumë se 9-të vota, nga tre herë me radhë sa u hodhën në votim.

Pas shterimit të emrave të të propozuarve nga Lista Serbe, mbeti vetëm deputeti serb i cili nuk është pjesë e kësaj partie, Nenad Rashiq, të cilin kryeparlamentari Basha e propozoi si opsion të fundit për debllokimin e procesit konstituues të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha tha se Rashiq është kandidati i vetëm që nuk është propozuar për nënkryetar, një e drejtë e cila i takon atij me Kushtetutë dhe me këtë rast, si kandidat i vetëm i mbetur, emri i tij u vu në votim.

Pas emërimit të nënkryetarit serb, kryeparlamentari Basha tha se tani ka kohë shtatë ditë për formimin e grupeve parlamentare dhe më pas do të mund të votohet qeveria e re. Prej 8 tetorit nisi afati 12-ditësh për konstituim të Kuvendit, sipas aktgjykimit të plotë që lëshoi Gjykata Kushtetuese në këtë ditë.

Në aktgjykimin e plotë në rastin e ngritur nga Lista Serbe, Kushtetuesja konstatoi se është kushtetues edhe votimi i ndarë për nënkryetarët, gjë e cila ishte kontestuar edhe nga disa parti në Kuvend të cilët ose abstenuan në procesin e votimit për nënkryetarin serb, ose nuk votuan fare.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın