BALLKANI

Konfirmohen tre viktima nga Kosova në aksidentin tragjik në Austri

"Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe", tha kryeministri Kurti

Agim Sulaj  | 18.03.2026 - Përdıtësım : 18.03.2026
Konfirmohen tre viktima nga Kosova në aksidentin tragjik në Austri

Prishtinë

Tre nga katër viktimat e një aksidenti në Austri janë shtetas të Republikës së Kosovës ka konfirmuar Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë, transmeton Anadolu.

Ambasada ka bërë publik identitetin e tre viktimave kosovare të këtij aksidenti të cilët janë Pajtim Bajrami (1990), Asllan Musliu (1977) dhe Istref Zekaj, teksa ka thënë se autoritetet po punojnë në identifikimin e plotë të të gjithë të përfshirëve në ngjarje.

Ambasada ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të procedurave përkatëse.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se lajmi për vdekjen tragjike ka tronditur thellë opinionin. "Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe", tha Kurti.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës është në komunikim të ngushtë me Ambasadën në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme. Ambasada kosovare kishte njoftuar orë më parë për aksidentin e ndodhur në qytetin e Vjenës në një kantier ndërtimi, ku për pasojë humbën jetë disa persona.

Sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet austriake, ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.