Komuniteti bektashi në Trakinë Perëndimore kundër përpjekjeve për krijimin e "shtetit bektashi" në Shqipëri
Kjo nismë është e papërshtatshme jo vetëm në bazë të besimit, por gjithashtu për paqen rajonale dhe strukturat multikulturore, thuhet në një reagim nga komunitetet alevi dhe bektashi në Trakinë Perëndimore

Athinë
KOMOTINI (AA) – Komunitetet turke alevi dhe bektashi në Trakinë Perëndimore kanë reaguar ndaj përpjekjeve në Shqipëri për të krijuar një strukturë shtetërore mbi bazën e besimit bektashian, transmeton Anadolu.
Kryetari i Shoqatës së Arsimit dhe Kulturës së Pakicës “Seçek”, Necmettin Kahya, në një takim të mbajtur në Komotini, lexoi një deklaratë ku theksoi se ky formim është në kundërshtim me parimet e besimit dhe i papranueshëm.
Në deklaratë iu bë referim deklaratave të muajve të fundit të kryeministrit shqiptar Edi Rama për “krijimin e një shteti bektashi në Tiranë nën udhëheqjen e Baba Mondit (Edmond Brahimaj)”. U theksua se kjo nismë është e papërshtatshme jo vetëm në bazë të besimit, por gjithashtu për paqen rajonale dhe strukturat multikulturore.
Duke nënvizuar se në traditën bektashiane nuk ka vend për struktura politike, në deklaratë u tha se vetëshpallja e Baba Mondit si “udhëheqës botëror i bektashinjve” është në kundërshtim me ritet dhe praktikën historike.
“Pas ndarjes nga jeta të Haxhi Dede Reshat Bardhit, në Shqipëri nuk është zbatuar as ceremonia e dekretimit të ‘halifebabasë’. Në këtë rast, edhe ‘dedebaballëku’ është i pavlefshëm”, thuhet në reagim.
Po ashtu, u rikujtua se qendra e bektashizmit ndodhet brenda kufijve të Turqisë, në Teqenë e Haxhi Bektash Veliut, dhe se “struktura hierarkike e ndërtuar prej shekujsh vazhdon pa ndërprerje edhe sot”. Për këtë arsye, pretendimi i Baba Mondit për udhëheqje dhe shtetformim është i papranueshëm, u tha në deklaratë.
Po ashtu u theksua se komunitetet alevi-bektashi në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Greqi dhe Turqi, si dhe në Ballkan në përgjithësi, kanë mes tyre vetëm një lidhje shpirtërore e zemre.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.