BALLKANI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillon me shpalljen e afateve për zgjedhjet lokale në Kosovë

- Periudha e votimit përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025.

Agim Sulaj  | 13.06.2025 - Përdıtësım : 13.06.2025
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillon me shpalljen e afateve për zgjedhjet lokale në Kosovë

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar me shpalljen e afateve të rëndësishme për partitë si dhe për votuesit lidhur me zgjedhjet lokale të rregullta të cilat do të mbahen më 12 tetor të këtij viti, raporton Anadolu.

KQZ-ja së fundmi ka bërë publik datat për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, për votim me postë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, e cila do të fillojë më 23 korrik 2025 deri më 29 gusht 2025.

Gjatë kësaj periudhe 38 ditore, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t'u regjistruar si votues jashtë Kosovës, përmes platformës elektronike të KQZ-së, ose përmes postës, duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Periudha e votimit përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025.

Sa i përket obligimeve të partive politike, KQZ-ja njoftoi se të gjitha partitë politike të regjistruara, deri më 23 qershor 2025 duhet ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike nëse dëshirojnë të futen në garën zgjedhore përmes ndonjë koalicioni.

Gjithashtu, brenda afatit të njëjtë, partitë politike duhet ta njoftojnë Zyrën, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të rregullta të 12 tetorit 2025 do të jetë nga 13 shtator 2025 deri më 12 tetor 2025, në orën 06:59 të mëngjesit.

Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim është paraparë më 3 dhe 4 shtator.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila javën e kaluar caktoi 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që t’i qasen këtij procesi me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë u mbajtën më 17 tetor të vitit 2021.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.