BALLKANI

Komisioneri i BE-së për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin vizitë në Shqipëri, takon ministren Koçiu

Në një njoftim nga Ministria e Brendshme thuhet se vizita e komisionerit Brunner realizohet në kuadër të një turi rajonal vizitash dhe se "dëshmon angazhimin e fortë të BE-së për t’i mbështetur vendet e rajonit në rrugën integruese"

Fatjon Cuka  | 06.02.2026 - Përdıtësım : 06.02.2026
Komisioneri i BE-së për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin vizitë në Shqipëri, takon ministren Koçiu Burimi: Ministria e Brendshme e Shqipërisë

Tiranë

Ministrja e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu, priti sot në një takim komisionerin për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin të Bashkimit Evropian (BE), Magnus Brunner, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë thuhet se vizita e komisionerit Brunner realizohet në kuadër të një turi rajonal vizitash dhe se "dëshmon angazhimin e fortë të Bashkimit Evropian për t’i mbështetur vendet e rajonit në rrugën integruese".

"Ministrja Koçiu theksoi se Shqipëria është e angazhuar që procesi teknik i integrimit me BE të përmbyllet në vitin 2027, duke e cilësuar këtë objektiv të arritshëm falë progresit të deritanishëm dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e BE-së. Ajo nënvizoi se arritja e këtij objektivi kërkon vijimin e reformave dhe zbatimin e plotë të standardeve evropiane, veçanërisht në fushat e sigurisë, migracionit dhe sundimit të ligjit", thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se ministrja Koçiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Europian, veçanërisht në fushat e sigurisë, emigracionit dhe procesit të integrimit.

Koçiu ka theksuar se Strategjia e re Kundër Krimit të Organizuar 2026–2030 është në fazë finalizimi.

"Në lidhje me migracionin dhe menaxhimin e kufijve, Koçiu informoi mbi zbatimin e Strategjisë së Migracionit 2024–2030, anëtarësimin e Shqipërisë si vëzhguese në Rrjetin Evropian të Migracionit, ndryshimet në ligjin për të huajt, rritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e të miturve të pashoqëruar, si dhe miratimin e Planit Kombëtar të Kontigjencës për Flukset e Përziera Migratore 2026–2028. Po ashtu, është në proces funksionalizimi Qendra Shqiptare e Koordinimit për Menaxhimin e Integruar të Kufijve", thekson njoftimi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın