BALLKANI

Komandanti i KFOR-it zhvillon bisedë telefonike me shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë

“Komandanti i KFOR-it përsëriti se KFOR-i, si gjithmonë, do të vazhdojë të përmbushë misionin e tij në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë", thuhet në njoftim

Agim Sulaj  | 27.11.2023 - Përdıtësım : 27.11.2023
Komandanti i KFOR-it zhvillon bisedë telefonike me shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë Foto: AA/Arkiv

Prishtinë

Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Özkan Ulutaş, ka zhvilluar një bisedë telefonike me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviq, transmeton Anadolu.

Siç njofton KFOR-i, Ulutaş dhe Mojsiloviq kanë shkëmbyer mendime lidhur me zhvillimet e fundit dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm.

“Komandanti i KFOR-it përsëriti se KFOR-i, si gjithmonë, do të vazhdojë të përmbushë misionin e tij në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB)”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, para takimit me ministrat e jashtëm të NATO-s u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë të përmbahen nga retorikat nxitëse dhe të mos marrin ndonjë veprim që i rrit tensionet.

Stoltenberg, i cili e vizitoi Kosovën dhe Serbinë gjatë javës së kaluar, ka deklaruar se është parë dhunë serioze në veri të Kosovës dhe për këtë arsye NATO ka shtuar edhe 1 mijë trupa në misionin e KFOR-it. Ai shtoi se “do të shikohet rritja e qëndrueshme e kontingjentit në KFOR”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.