Komandanti i KFOR-it, Ulutash, priti në takim presidentin e Sllovakisë, Peter Pellegrini
Ulutash gjithashtu vlerësoi kontributin e Sllovakisë në përpjekjet e KFOR-it dhe në stabilitetin rajonal.
Prishtinë
Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO - KFOR, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka pritur në takim Presidentin e Republikës së Sllovakisë, Peter Pellegrini, në Selinë e KFOR-it në kampin “Film City”, në Prishtinë, transmeton Anadolu.
KFOR-i nëpërmjet një njoftimi për media bëri të ditur se presidenti Pellegrini gjatë vizitës së tij në selinë e KFOR-it shoqërohej nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Sllovakisë, Robert Kalinak, ambasadori i Republikës së Sllovakisë në Beograd, Michal Pavuk, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Sllovakisë, gjenerali Daniel Zmeko.
Gjeneralmajori Ulutash i informoi të pranishmit për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për përpjekjet e KFOR-it, duke nënvizuar përkushtimin e palëkundur të këtij misioni për të kontribuar në një siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën.
Ulutash gjithashtu vlerësoi kontributin e Sllovakisë në përpjekjet e KFOR-it dhe në stabilitetin rajonal.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
