BALLKANI

Komandanti i KFOR-it, Ulutaş, bisedoi me autoritetet kosovare për automjetetet e FSK-së në veri

Jashari i ka përsëritur komandantit Ulutaş se devijimi i automjeteve të FSK-së ka qenë i përkohshëm dhe si pasojë e një gabimi

Agim Sulaj  | 16.10.2025 - Përdıtësım : 16.10.2025
Komandanti i KFOR-it, Ulutaş, bisedoi me autoritetet kosovare për automjetetet e FSK-së në veri Foto: AA/Arkiv

Prishtinë

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) është deklaruar lidhur me çështjen e automjeteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të cilat kaluan për disa minuta në pjesën veriore të Mitrovicës, transmeton Anadolu.

KFOR-i për mediat në Kosovë ka bërë të ditur se komandanti i këtij misioni, gjenerali i Forcave Turke Özkan Ulutaş, ka biseduar me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, për lëvizjen e gabuar të njësisë së FSK-së.

Bëhet e ditur se Jashari i ka përsëritur komandantit Ulutaş se devijimi i automjeteve të FSK-së ka qenë i përkohshëm dhe si pasojë e një gabimi.

“Ne e kemi pranuar deklaratën e bërë nga Policia e Kosovës dhe nga FSK-ja, se njësia përkatëse e FSK-së kishte dalë gabimisht për disa minuta nga itinerari i saj dhe ishte kthyer menjëherë në rrugën fillestare, në jug të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Nga KFOR-i deklaruan po ashtu se e mirëpresin “respektimin e vazhdueshëm nga ana e FSK-së të marrëveshjes së gjatë për të mos dërguar personel të FSK-së në veri të Kosovës pa njoftimin dhe miratimin paraprak të Komandantit të KFOR-it.”

Në fund u tha se ky mision është i pozicionuar mirë në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë veriun e vendit dhe është i gatshëm të reagojë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm në aspektin e sigurisë.

Gjatë ditës, mediat serbe në Kosovë raportuan se automjetet e FSK-së hynë në pjesën e Mitrovicës së Veriut ku qëndruan për disa minuta dhe më pas u larguan për në jug. Gjithashtu disa video të këtyre automjeteve u shpërndanë edhe në rrjetet sociale.

Sipas dëshmitarëve okularë të cilët folën për mediat serbe, bëhet fjalë për dhjetë automjete, përfshirë disa Hummer, si dhe tre deri në katër kamionë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.