Kampionja e artë olimpike e xhudos Majlinda Kelmendi e mbyll karrierën si sportiste aktive
Në cilësinë e nikoqires, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen më të përzemërt për kampionen e shumëfishtë në xhudo Majlinda Kelmendi dhe i ndau Urdhrin “Shotë Galica”, çmim që u jepet personave që kanë avokuar apo kanë bërë vepra apo akte guximi
Prishtinë
Kampionja e artë olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, ka mbyllur zyrtarisht karrierën e saj si sportiste aktive për të vazhduar me atë të trajneres në krah të trajnerit të saj të deritanishëm, Driton Kuka, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në pensionimin e saj si sportiste, Presidenca e Kosovës organizoi ceremoni në nderim të Kelmendit me të ftuar udhëheqës të institucioneve të sportit dhe sportistë të shumtë.
Në Institutin e Historisë "Ali Hadri" në Prishtinë, ku u mbajt ceremonia, me një video mesazh nderimi e falënderimi në ceremoni mori pjesë edhe Marius Vizer, kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, në pamundësi të të jetë i pranishëm fizikisht në Prishtinë.
Në cilësinë e nikoqires, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen më të përzemërt për kampionen e shumëfishtë në xhudo Majlinda Kelmendi dhe i ndau Urdhrin “Shotë Galica”, çmim që u jepet personave që kanë avokuar apo kanë bërë vepra apo akte guximi.
“Ëndrrën e nisur prej moshës 8 vjeçe, Majlinda e përmbushi duke fituar çdo titull. Ajo nuk u josh që të vesh uniformën e ndonjë shteti tjetër, por luftoi për ngjyrat e shtetit të Kosovës”, theksoi presidentja Osmani.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili po ashtu ishte i pranishëm në ngjarje, tha se kjo është një ngjarje e rëndësishme për të ardhmen e sportit të xhudos në Kosovë, sepse "Kelmendi po merr një përgjegjësi të re, atë të trajneres përkrah trajnerit të saj që solli shumë suksese ndër vite".
Çeku po ashtu theksoi se Kosova ka arritur suksese të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare nëpërmjet xhudisteve dhe këtë sukses e filloi xhudistja e artë Kelmendi në Rio 2016, e cila dëshmoi se me përkushtim dhe punë çdo gjë është e mundur.
“Majlinda Kelmendi me arritjet e saja është shndërruar në ikonën e suksesit kosovar dhe është bërë shembull i shoqërisë tonë, duke i kaluar të gjitha vështirësitë dhe sfidat. Ajo i ka dëshmuar rinisë tonë se kur punohet me përkushtim dhe qëndrueshmëri suksesi është i pashmangshëm”, u shpreh mes tjerash Çeku, duke shtuar se Kelmendi po mbyll karrierën e saj si sportiste aktive, por që për sukseset e saj në rrugën e re do të dëgjohet gjithmonë.
Trajneri i Majlindës, Driton Kuka, foli për përvojën dhe ndjenjat që ka kaluar së bashku me Majlindën. Ai tha se Majlinda e krenoi atë si trajner, por edhe gjithë kombin shqiptar.
“Kënaqësi kur Majlinda ka pushtuar Rusinë, Brazilin dhe vende tjera që nuk e kanë pranuar realitetin e quajtur Kosovë. Të jem mirënjohës deri në frymën e fundit Majlindë”, u shpreh Kuka.
Vetë xhudistja Kelmendi tha se tani e tutje dijen dhe përvojën e saj do ta përcjell tek gjeneratat e reja, pas pensionimit si sportiste aktive, si dhe shprehu falënderime për trajnerin dhe ekipin e saj.
“Një falënderim shumë për vendin tim, për popullin tim, që keni qenë frymëzimi im. Ka qenë nder dhe privilegj shumë i madh për mua ta përfaqësoj Kosovën”, tha ajo.
Kelmendi arriti që në Lojërat Olimpike “Rio 2016” të fitojë medaljen e artë të parë Olimpike për të, por edhe të parën për Kosovën. Ajo u bë dy herë kampione e botës dhe katër herë kampione e Evropës. Përgjatë karrierës, Kelmendi po ashtu fitoi katër herë titullin më garën e famshme të Grand Slamit të Parisit. Në vitin 2017 ajo u shpall xhudistja më e mira në botë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
