Kallas në Shkup: Maqedonia e Veriut përket në Bashkimin Evropian
Kallas zhvilloi takim kokë më kokë dhe bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në ambientet e Qeverisë ndërsa më pas mbajtën konferencë të përbashkët për media

Shkup
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Kaja Kallas e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Shkup, tha se vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE dhe se blloku evropian qëndron përkrah vendin në rrugën e integrimit, raporton Anadolu.
Kallas zhvilloi takim kokë më kokë dhe bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në ambientet e Qeverisë ndërsa më pas mbajtën konferencë të përbashkët për media.
"Bashkimi Evropian qëndron me Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së", tha Kallas.
Ajo tha se kjo është hera e parë që viziton Maqedoninë e Veriut dhe shtoi se Maqedonia e Veriut është vendi i parë në rajon që nënshkruan marrëveshje me BE-në për sigurinë.
Kallas, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunsku, sot hapin dialogun e parë për siguri dhe mbrojtje midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, që pason nënshkrimin e marrëveshjes bilaterale për partneritet të sigurisë dhe mbrojtjes në nëntor të vitit të kaluar.
"Maqedonia e Veriut i përket BE-së. Ju jeni një partner i besueshëm. Rruga drejt anëtarësimit nuk është e lehtë. Mesazhi im është të vazhdojmë kursin", tha Kallas.
"Është e qartë se duam që Maqedonia e Veriut të përparojë në rrugën e saj evropiane. E dimë që ka pengesa dhe kemi diskutuar se si t'i kapërcejmë ato. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe qëllimi ynë është që të gjithë të integrohemi në BE. Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është receta më e mirë për paqe dhe siguri në gjithë rajonin", theksoi kryediplomatja evropiane.
Ndërkaq, kryeministri Mickoski tha se vizita e Kallasit në Shkup është mesazh i rëndësishëm se BE-ja nuk e harron këtë rajon. "Ne i përkasim BE-së sepse për dekada kemi ndërtuar një shoqëri demokratike dhe marrëdhënie të mira me fqinjët tanë", tha Mickoski duke theksuar se pret një mesazh dhe mbështetje më të qartë nga BE-ja.
"Evropa mund të mbështetet te ne dhe tani është koha që ne të mbështetemi tek Evropa", tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Mickoski u pyet nëse do të pranonte ndërmjetësim nga ndonjë vend tjetër kur bëhet fjalë për Bullgarinë: "Kushdo që dëshiron të ndërmjetësojë, ne jemi të gatshëm të flasim me të. Isha shumë i qartë, ne duam zgjidhje që do të jetë dinjitoze. Jemi të lodhur nga bllokimet".
Kjo është vizita e dytë e Kallasit në rajon që nga marrja e detyrës, pas vizitave të saj të mëparshme në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë nga 7 deri në 9 prill.
Para se të mbërrinte në Shkup, Kallas vizitoi Beogradin dhe Prishtinën ndërsa sot ishte edhe në Mitrovicën e Veriut.