Kulturë, BALLKANI

Jorganxhiu i fundit i Çarshisë së Shkupit ruan traditën familjare njëshekullore

Ali Halili rikujton Rrugën e mëhershme të Jorganxhinjve, kur ai ishte fëmijë dhe filloi të mësojë zanatin, duke theksuar se është shumë e rëndësishme të punohet me dëshirë, e më e rëndësishme, sipas tij, është të punohet ndershëm

Edıta Zekjırovıkj  | 03.12.2021 - Përdıtësım : 05.12.2021
Jorganxhiu i fundit i Çarshisë së Shkupit ruan traditën familjare njëshekullore Foto: Umeys Sulejman / AA

Shkup

EDITA ZEKJIROVIKJ

Çarshia e Vjetër Shkupit akoma mund të quhet bazamenti i kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut. E veçanta e çarshisë përbëhet në atë që rrugët e saj rrëfejnë për historinë e qytetit, ekzistimin e popujve të ndryshëm, lindjen e zanateve të shumta, por edhe zhvillimin e arkitekturës dhe traditës së pasur popullore.

Në çarshi janë hapur edhe zejtaritë e para dhe janë krijuar ustallarët më të mirë të zanateve të ndryshme. Shumë nga zanatet e dikurshme janë zhdukur me kalimin e kohës, e me këtë, janë zhdukur edhe zejtaritë.

Një nga zanatet që edhe më tej frymon në sokakët e çarshisë, është zanati i jorganxhinjve. Ustai i fundit i këtij zanati është Ali Halili, familja e të cilit pothuajse një shekull merret me këtë zanat dhe me shumë mund e mban ende të gjallë.

Në deklaratë për Anadolu Agency (AA) jorganxhiu Halili foli për dashurinë që ka për punën që bën, ndërsa në sytë e tij vërehet njëkohësisht edhe brengë dhe mërzi, pasi pas tij, ky zanat do të zhduket.

"Gjyshi im ka qenë jorganxhi, më pas babai im, pastaj pasardhës ishte vëllai, por ai doli në pension. Edhe ai ishte jorganxhi, më i moshuar se unë, un e trashëgova pas tij dhe këtu ndërpritet. Fëmijët nuk duan ta mësojnë, nuk ka çirakë, për shkak se fillimisht, zanati nuk ka perspektivë, së dyti zanati është i vështirë të punohet. Këta janë dy faktorët kryesorë", tha Halili.

Ai rikujton rrugën e mëhershme të Jorganxhinjve, kur ai ishte fëmijë dhe filloi të mësojë zanatin, duke theksuar se është shumë e rëndësishme të punohet me dëshirë, e më e rëndësishme, sipas tij, është të punohet ndershëm.

"Mësohet edhe edukata, gradualisht duke mësuar zanatin, është çiraku, pason kallfa dhe vjen ustai. Në përkthim nënkupton shkolla fillore, e mesme dhe fakulteti. Vetëm se këtu ka edhe edukatë, respekt, se si ta presësh dhe si ta përcjellësh myshteriun me buzëqeshje dhe t'i tregosh gjithçka na zanati yt", tha Halili.

Ky zanat trashëgohej brez pas brezi, ndërsa nëpërmjet tij krijohet tradita dhe trashëgimia kulturore, deri në paraqitjen e fabrikave në kohën moderne, e me këtë edhe mosbesimin ndaj zejtarisë.

"Ky produkt zgjat 50 vjet"

"Nëse flini shtatë apo tetë orë në materiale natyrore, besoni se me siguri do të jeni më të shëndoshë. A doni t'ia jepni paratë mjekut ose doni të flini në materiale të natyrshme, këtë e zgjidhni ju, jo unë. Unë duhet t'u shpjegoj si usta se është e shëndetshme dhe ky produkt zgjat 50 vjet", tha Halili, duke rikujtuar rëndësinë e materialeve natyrore për shëndetin e njeriut.

Ai rrëfeu se në vendet perëndimore më shumë çmohen materialet natyrore, si dhe produktet e zejtarisë, për prodhimin e të cilave nevojiten disa ditë.

"Që të qepet një jorgan, të prodhohet, fillimisht qepen dy pëlhurat, nga sipër dhe nga poshtë. Më pas vjen mbushja, artificiale ose natyrale dhe më pas duhet tundur ose rrotulluar dhe më pas jorgani duhet rrahur nga të dyja anët për të paktën dy orë. Duhet mjeshtëri, për ta rregulluar atë siç duhet. Pastaj vjen mjeshtëria e qepjes. Kur qepni me dorë, gjilpërat duhet të jenë të njëjta, nuk mund të jetë një me e madhe e një më e vogël", shpjegon usta Halili, duke shtuar:

"Një jorgan i punuar në dorë ka përafërsisht nga 100 mijë deri në 120 mijë gjilpëra, e kjo është ustallëku për shkak se nevojitet një dorë nga lartë dhe tjetra nga poshtë në mënyrë që të jetë e qepur njësoj dhe të jetë drejtë. Kjo është ustallëk por edhe art".

Halili sqaron se dallimi midis jorganëve të prodhuar nga materiale artificiale dhe natyrale është në qëndrueshmërinë dhe cilësinë e tyre. Ai ka vendosur rekord me riparimin e një jorgani të vjetër 72 vjet, i cili ka qenë një kujtim i rëndësishëm për një familje.

"Kishte 25 jorganxhinj, mbeta vetëm unë"

Gjatë bisedës, jorganxhiu i fundit kthehet në kohën kur çarshia ishte qendra e vetme tregtare, kur jorgani ishte pjesë e çejzit të nuses dhe kur ishte traditë.

"Kishte 25 jorganxhinj dhe një nga një largoheshin, normalisht si tek ne që nuk ka më pasardhës. Nga 25, mbeta vetëm unë. Kishte kërkesë pasi atëherë nuk ka pasur aq fabrika, ka pasur kualitet. Kjo është shumë me rëndësi. Myshterinjtë kanë ardhur në çarshi, këtu është kryer tregtia kryesore, matjet, qoftë argjend apo ar, qofshin çantaxhinj ose këpucëtarë, të gjithë ishin këtu në çarshi dhe të gjithë kishin punë dhe punonin mirë", tha Halili.

Bukuria e zanateve është se janë unike, pasi nuk mund të prodhohen dy produkte të njëjta dhe secili produkt është i punuar me dorë dhe është autentik.

"Nuk ka dy jorganë të njëjtë, ju kur e blini, ajo është unik", thekson Halili, jorganxhiu i vetëm dhe i fundit në Çarshinë e Shkupit, i cili me zanatin e tij kontribuon në trashëgiminë kulturore të çarshisë, me shpresën se zejtaria do të vlerësohet më shumë në të ardhmen për shkak të gjërave unike që ofron.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.