Italia merr komandën e Batalionit Multinacional EUFOR në Bosnje dhe Hercegovinë
Gjatë ceremonisë në bazën Butmir, koloneli Gianfabio Collela mori detyrën nga komandanti rumun Ioan Vasile Rus
Sarajevë
Italia ka marrë zyrtarisht komandën e Batalionit Multinacional EUFOR në Bosnje e Hercegovinë, duke hapur një kapitull të ri në drejtimin e kësaj njësie kyçe të manovrimit të forcave ndërkombëtare, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e dorëzimit të detyrës në bazën Butmir në Sarajevë, koloneli Gianfabio Collela nga Forcat e Armatosura të Italisë mori komandën nga koloneli Ioan Vasile Rus i Forcave të Armatosura të Rumanisë.
Ceremoninë e udhëhoqi komandanti i EUFOR-it në BeH, gjeneralmajor Florin Marian Barbu.
Në ngjarje morën pjesë zyrtarë të lartë, përfshirë zëvendëskomandantin e EUFOR-it, gjeneral brigade Uberto Incisa di Camerana, shefin e stafit të EUFOR-it, gjeneral brigade Tibor Szabo, si dhe ambasadoren e Italisë në Bosnje dhe Hercegovinë, Sarah Castelani.
Gjatë ceremonisë, gjeneralmajor Barbu dekoroi kolonelin rumun Vasile Rus me Medaljen e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Evropian për Operacionin "Althea" dhe me Mirënjohjen e Komandantit të EUFOR-it, njohja më e lartë që jepet nga komandanti i EUFOR-it në BeH, si shenjë e vlerësimit për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe shërbimin e suksesshëm.
Gjenerali Barbu i shprehu falënderimet kolonelit Ioan Vasile Rus për udhëheqjen dhe përkushtimin e tij dhe i dha mbështetje kolonelit Collela, duke theksuar se do të ketë mbështetjen e plotë të ekipit komandues të EUFOR-it në kryerjen e detyrës së re.
Batalioni Multinacional EUFOR është i stacionuar në bazën Butmir dhe përbëhet nga pjesëtarë të forcave të armatosura të Shqipërisë, Italisë, Hungarisë, Holandës, Rumanisë, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë. Njësia zhvillon rregullisht stërvitje të përbashkëta me Forcat e Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës për të forcuar gatishmërinë operative dhe kohezionin reciprok.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
