Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, vizitë në Shqipëri
Pas ceremonisë shtetërore të pritjes, ish-presidenti amerikan, Clinton, u vlerësua nga kryeministri Rama me medaljen “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike”

Tiranë
Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, ka vizituar Shqipërinë, ndërkohë është pritur me ceremoni zyrtare nga kryeministri Edi Rama, raporton Anadolu.
Pas ceremonisë shtetërore të pritjes për ish-presidentin amerikan të organizuar në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë, por edhe të qytetarëve, Clinton u vlerësua nga kryeministri Rama me medaljen “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike”.
Gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë e pritjes dhe të vlerësimit, Rama tha se qeveria e Clinton e mbështeti Shqipërinë jo thjeshtë përmes programeve të ndryshme të ndihmës, por sipas tij në radhë të parë duke çelur epokën e re të partneritetit strategjik me SHBA-në.
"Ne shqiptarët kemi pasur privilegjin ta përjetojmë drejtpërdrejtë në lëkurën e kombit tonë forcën rrëqethëse të fjalës së Presidentit Clinton në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999, kur ai iu drejtua Amerikës dhe mbarë botës. Ai fjalim përveçse një tjetër perlë e thesarit të oratorisë klintoniane është për historinë e Kosovës, por edhe të vetë rajonit tonë një gur përcaktues i rrugës së të ardhmes. Adresimet e tij të drejtpërdrejta për të dy popujt e përfshirë pa dëshirën e tyre në një konflikt mizor të shkaktuar prej logjikes perverse të një regjimi diktatorial kanë lënë pa frymë atë natë çdo shqiptar dhe çdo serb", tha Rama.
Rama tha se Clinton "na mësoi me shembullin e oratorisë së tij dhe me forcën e shembullit të tij se të kesh shpresë do të thotë të besosh, se ka vetëm regjime dhe qeveri të këqija, nuk ka kurrë popuj të këqij".
Duke iu drejtuar ish-presidentit amerikan, Rama tha se "Shqipëria është vendi më pro amerikan që mund të gjendet sot, përfshirë edhe krahasuar me Teksasin, por ju jeni presidenti më shqiptar që ne mund të gjenim ndonjëherë në Amerikë dhe me respektin më të madh për të gjithë presidentët e vendit tuaj të bekuar, vendi juaj ne zemrën e kombit tonë është aty ku qëndron miku më i madh i nderit".
Ish-presidenti Clinton u shpreh në fjalën e tij në ceremoni se e janë të angazhuar për lirinë, integritetin dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Clinton tha se i është shumë mirënjohës për atë çfarë kryeministri Rama tha lidhur me Kosovën dhe shtoi se, “Dua po kështu t’i them faleminderit kryeministrit për fjalët e tij lidhur me politikën time e qasjen e rrugës së tretë të cilën Toni (ish-kryeministri britanik Toni Bler) dhe unë u përpoqëm ta ndiqnim”.
Duke folur për tensionet dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, Clinton tha se “Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më vendimi im, por kosovarët i krijuan ato 4 qyteza në të mirë të serbëve për t’u dhënë 4 kryebashkiakë më tepër”.
“Mendoj se është e lehtë për shqiptarët, tashmë në shumicë, që të përpiqen të përfitojnë nga momenti për të paraqitur argumentin e tyre, por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është që duhet ta ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke patur tension? Ka njerëz që jetojnë aty. Kanë nevojë që të kenë një qeverisje të denjë dhe qytetarët kanë nevojë t’u thuhet ‘ju duhet të votoni’ gjithmonë”, tha Clinton, duke folur për tensionet në veri të Kosovës.
“Për të gjithë ju në Shqipëri sot, për ata prej jush që shërbejnë në qeveri dhe ata të cilëve iu shërbehet, për rininë e jashtëzakonshme dhe praninë e grave në këtë qeveri, për të rinjtë mbresëlënës që folën, disa prej të cilëve mbajnë emrin tim e disa të tjerë emrin e familjarëve të mi, ju kërkoj të mos shkurajoheni përballë asaj çfarë po ndodh sepse këto probleme i kanë rrënjët tek një impuls që është më i vjetër se shtetet kombe”, tha Clinton
Gjatë ceremonisë përshëndetën disa fëmijë nga Kosova me emrin e ish-presidentit Clinton, ndërkohë në fund të ceremonisë Rama dhe Clinton u takuan me zyrtarët dhe qytetarët e pranishëm në ceremoni.
Bill Clinton e viziton për herë të parë Shqipërinë, ndërkohë vizita e tij realizohet në prag të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, që shënohet më 4 korrik.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.