Ish-kryeministrit Berisha i caktohet nga gjykata masa detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit
Sipas njoftimit nga SPAK, është krijuar dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se Berisha ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim dhëndrin e tij
Tiranë
Autoritetet në Shqipëri kanë vendosur masën "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit", për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion, ndërsa dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, është arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash, transmeton Anadolu.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) në një njoftim të publikuar sot në uebfaqen e saj ka konfirmuar se objekti i hetimit të këtij procedimi penal, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani” në Tiranë.
Sipas njoftimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se Berisha ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M. (dhëndri i tij Jamarbër Malltezi).
"Nga ana e shtetasit S. B (Sali Berisha), në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij", thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se nga ana e ish-kryeministrit Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Gjithashtu theksohet se Malltezi "duke shfrytëzuar pushtetin e ish-Kryeministrit (Sali Berisha), ka arritur të marrë përfitimet e parregullta nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive".
Sipas njoftimit, masa "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit" ndaj Berishës është caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.
Gjithashtu thuhet se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur edhe sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme dhe disa llogari bankare në pronësi të Malltezit.
Nga ana tjetër, në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se "Jamarbër Malltezi nuk është thirrur në jetën e tij nga asnjë prokuror apo asnjë gjykatës për asnjë çështje".
Kujtojmë se ish-kryeministri Berisha është i shpallur më parë person "non grata" nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.
Sali Berisha ka mbajtur postin e presidentit të Shqipërisë në vitet 1992-1997 dhe postin e kryeministrit në vitet 2005-2013, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 ai u zgjodh deputet nga partia opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë, ndërsa aktualisht nga Kuvendi i Shqipërisë ai njihet zyrtarisht si deputet jashtë grupeve parlamentare, për shkak të përplasjeve të fundit brenda Partisë Demokratike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
