Ish-krerët e UÇK-së, Veseli, Selimi dhe Krasniqi presin gjykim të drejtë nga Gjykata Speciale
"Pas dekadash hetimesh, nuk ka asnjë provë që tregon se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë krim i kryer nga ana ime", ka thënë Veseli
Kosova
PRISHTINË (AA) – Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në fjalët përmbyllëse kanë thënë se presin vendim të drejtë nga kjo gjykatë, raporton Anadolu.
Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se gjykata duhet që me çdo kusht të mbrojë të vërtetën dhe paanësinë. Ai në fjalën përmbyllëse tha se i është bashkuar radhëve të UÇK-së për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar në liri dhe me dinjitet.
"Kam besuar që populli i Kosovës e kishte të drejtën për të jetuar në liri e dinjitet. Kurrë nuk kam besuar që dhuna, urrejtja e hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes të ndershëm. Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë e as paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim", tha Veseli.
Ai tha se ai është i pafajshëm dhe pas hetimeve për të nuk është provuar e kundërta.
"Pas dekadash hetimesh, nuk ka asnjë provë që tregon se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë krim i kryer nga ana ime", ka thënë Veseli.
Veseli, ashtu sikurse ish-presidenti Thaçi i cili u deklarua i pari, tha se Serbia dhe Millosheviqi kërkonin kontrollin mbi gjithë popujt e Jugosllavisë dhe për këtë, ai u shpreh se nuk mund të qëndronte indiferent derisa populli po përballej me robëri.
"Ajo çka duhet të dalë nga kjo gjykatë është drejtësia dhe paanshmëria. Unë qëndroj në këtë proces me bindje se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia. Drejtësia mund të vonohet por nuk mohohet kurrë. Kam vepruar me këtë bindje dhe unë e di kush jam, unë e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Ndërgjegjja ime është e pastër", ka thënë ai.
- Selimi: Për mua, të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh
Ish-udhëheqësi i UÇK-së, Rexhep Selimi, në fjalën e tij ka thënë se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi.
Para trupit gjykues në Hagë, Selimi ka deklaruar se UÇK-ja nuk është krijuar nga dëshira, por nga nevoja dhe se armët për ta ishin mbijetesë.
"Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t'u vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? As njërën dhe as tjetrën. Duhej të rezistonim, prandaj besova që Kosova kishte nevojë për vetëmbrojtje. Kishte nevojë për një si Adem Jashari dhe si UÇK-ja, prandaj iu bashkova UÇK-së. UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira por nga nevoja. Ishte reagim ndaj dhunës sistematike. Nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë. Për mua të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh", tha Selimi.
Ai tutje u shpreh i bindur se kanë bërë gjënë e duhur dhe si rrjedhojë erdhi edhe mbështetja e NATO-s për Kosovën. Selimi tha se shpreson që trupi gjykues ta ketë pasur kohën e mjaftueshme për ta kuptuar që lufta e Kosovës ishte e drejtë dhe pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë.
"Akuzat ndaj nesh janë të pabazuara dhe të padrejta", shtoi Selimi.
- Krasniqi: Nuk jam kriminel, siç më përshkruan Prokuroria
Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në fjalën përmbyllëse të gjykimit të tij në Gjykatën Speciale në Hagë, është deklaruar i pafajshëm dhe ka thënë se nuk është kriminel, siç po e përshkruan Prokuroria në aktakuzë.
Ai ka vlerësuar se në këtë gjykatë qëndron si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftë për dinjitet njerëzor.
"Qëndroj sot këtu para jush, të nderuar gjyqtarë, jo si një kriminel siç me përshkruan aktakuza e prokurorisë, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftë për dinjitet njerëzor nga një popull që refuzoi të zhdukej, të zhdukej nga politika e krimit dhe gjenocidit të Serbisë", ka thënë Krasniqi.
Krasniqi i quajti mbi pesë vjet e më shumë burgim në këtë gjykatë si të padrejta dhe të panevojshme.
Sipas Krasniqit, në aktakuzë është shkruar e padrejta duke i atribuuar atij role dhe përgjegjësi që nuk i ka pasur kurrë në jetë.
"Figura e përshkruar në ZPS nuk është njeriu që qëndron sot para jush. Jam mirënjohës ndaj dëshmitarëve që erdhën këtu dhe thanë të vërtetën se kush isha dhe kush nuk isha. Ata erdhën për t'i mbrojtur faktet", tha Krasniqi.
Gjykimi i grupit më të madh në Gjykatën Speciale, ai ndaj katërshes së ish-krerëve të UÇK-së, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, është në fazën përfundimtare.
Ditën e djeshme, kur Kosova shënoi 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, mijëra qytetarë protestuan për të kërkuar drejtësi dhe jo politikë nga kjo gjykatë.
