BALLKANI

Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, deklarohet i pafajshëm para Gjykatës Speciale

Ish-komandanti i UÇK-së, i cili njëherësh është qytetari i parë i Kosovës me aktakuzë të konfirmuar nga Gjykata Speciale për krime lufte me seli në Hagë, u deklarua i pafajshëm për katër pika të aktakuzës

Agim Sulaj  | 28.10.2020 - Përdıtësım : 29.10.2020
Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, deklarohet i pafajshëm para Gjykatës Speciale

Prishtinë

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, ka mohuar fajësinë për katër pika të aktakuzës që ia ka lexuar gjykatësi në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mustafa akuzohet për katër pika, të cilat ia lexoi gjykatësi i Dhomave të Specializuara, për krimin e luftës të ndalimit arbitrar, për krimin e luftës së trajtimit mizor, për krimin e luftës së torturës dhe për krimin e luftës së vrasjes së paligjshme.

“I pafajshëm zotëri gjykatës”, ka qenë përgjigja e Mustafës për të trija pikat.

Para se të deklarohej i pafajshëm, Mustafa në një fjalë rasti të cilën ia lejoi gjykatësi, u bëri thirrje deputetëve të Parlamentit Evropian, deputetëve të Kosovës, politikanëve evropianë e atyre kosovarë që t’i zgjerojnë kompetencat e Gjykatës Speciale, për ta vënë para drejtësisë edhe palën serbe.

“Kësaj gjykate speciale selektive, që në analet e drejtësisë ndërkombëtare është e panjohur, t’ia zgjerojë kompetencat, për të gjykuar dhe dhënë drejtësi, edhe për mbi 1.300 fëmijë të vrarë e masakruar, 16 mijë viktima civile, për të dhunuarat, për kthimin dhe gjetjen e mbi 1.600 bashkëqytetarëve ende të zhdukur, varrezat masive ende të pazbuluara, mbi 450 masakra të ndodhura anekënd Kosovës dhe dëmet kolosale materiale të shkaktuara mbi ekonomitë familjare dhe ekonomitë shoqërore që i shkaktoi okupatori gjenocidal i Serbisë”, theksoi Mustafa, i cili shtoi se “pajtimi nuk arrihet duke ua mprehur shpatat xhelatëve, e viktimat duke i viktimizuar edhe për së vdekuri”.

Mustafa theksoi se beson në moralin e bashkëluftëtarëve të tij të UÇK-së, duke qenë “thellë i bindur se lufta për liri dhe pavarësi e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme”.

“Okupimi i gjatë dhe regjimi fashist me përmasa gjenocidale i Sllobodan Millosheviqit si dhe pas luftërave të përgjakshme të këtij kasapi në Kroaci e Bosnjë, mua dhe popullit tim nuk na kishte lënë shumë zgjidhje. O të përfundonim në kampet e refugjatëve në Evropën Perëndimore, pa nder, pa atdhe e pa liri, ose të organizoheshim në një rezistencë të gjithanshme, që kulmoi me luftën çlirimtare për liri, pavarësi e shtet demokratik”, theksoi Mustafa.

Pas deklarimit të pafajësisë nga i akuzuari Salih Mustafa, në seancë vazhdoi përgatitja për procedurën paraprake për nevojat e përgatitjes së çështjes për gjykim në përputhje me rregullat e Gjykatës Speciale.

Salih Mustafa u arrestua dhe ekstradua nga Kosova në Holandë më 24 shtator me urdhër të gjykatësit pasi aktakuza ndaj tij ishte konfirmuar. Më 28 shtator ai ka refuzuar të deklarohet në paraqitjen e tij publike para gjykatës, e po kështu edhe në paraqitjen tjetër më 5 tetor. Sipas rregullave të procedurës së gjykatës, afati prej 30 ditëve nga paraqitja e tij e parë para gjykatës për ta pranuar ose jo fajësinë përfundoi sot (e mërkurë).

Aktakuza e konfirmuar kundër Salih Mustafës thotë se ai është përgjegjës për disa krime, si tortura dhe keqtrajtim ndaj të paktën gjashtë personave në periudhën nga 1 prilli 1999 deri më 19 prill 1999 në fshatin Zllash, ku operonte një qendër burgimi.

Seanca e radhës ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale pritet të mbahet në dhjetor, sipas dakordimit të palëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.