BALLKANI

Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark pritet të dëshmojë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

Clark pritet të dëshmojë si dëshmitari i fundit i mbrojtjes dhe sipas dokumentit të paraqitur në gjykatë, ai ka bërë të ditur se nuk mund të udhëtojë në Hagë para datës 17 nëntor 2025

Shpetim Hiseni  | 24.10.2025 - Përdıtësım : 24.10.2025
Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark pritet të dëshmojë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

Prishtinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë dhënë autorizimin që gjenerali në pension i ushtrisë amerikane dhe ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark, të dëshmojë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që po zhvillohet në Hagë, transmeton Anadolu.

Sipas parashtrimit të bërë nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, "është marrë leje nga qeveria e SHBA-së duke autorizuar deklaratën dhe dëshminë e dëshmitarit të fundit të mbrojtjes, Gjeneral Wesley Clark".

Clark pritet të dëshmojë si dëshmitari i fundit i mbrojtjes dhe, sipas dokumentit të paraqitur në gjykatë, ai ka bërë të ditur se nuk mund të udhëtojë në Hagë para datës 17 nëntor 2025. Për këtë arsye, dëshmia e tij mund të nisë më 18 ose 19 nëntor. Mbrojtja ka kërkuar gjithashtu që në rast nevoje, seanca të vazhdojë edhe më 21 nëntor.

Në të njëjtin parashtrim, mbrojtja ka kërkuar që deklarata e Clarkut të shtohet në listën e provave të dorëzuara, duke theksuar se kjo dëshmi është jashtëzakonisht relevante për çështjen në fjalë. Sipas mbrojtjes, përfshirja e saj "do të kursejë kohë në sallën e gjyqit dhe do të sigurojë që prezantimi i provave të dëshmitarit të jetë i fokusuar e jo i përsëritur".

Clark, i cili ka shërbyer si Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s nga viti 1997 deri më 2000, pritet të dëshmojë për përpjekjet e NATO-s në zbatimin e marrëveshjes së tetorit 1998 ndërmjet Richard Holbrooke dhe Slobodan Millosheviqit, për fushatën ajrore kundër forcave jugosllave pas refuzimit të Rambujesë si dhe për vendosjen e trupave në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen Ushtarake Teknike dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın