Intensifikohet puna e ekipeve që identifikojnë fëmijët në rrugë
Për dy javë, ekipet mobile kanë identifikuar 167 fëmijë në Shkup, 18 prej të cilëve janë foshnje

Shkup
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale të Maqedonisë së Veriut, Milla Carovska, ka mbajtur takim me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendase në të cilin është diskutuar çështja e trajtimit të fëmijëve në rrugë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takim të pranishëm ishin përfaqësuesi i organizatës së UNICEF-it në Shkup, Benjamin Perks, drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale, Natasha Stanojeviç, përfaqësues të Kryqit të Kuq në vend, si dhe pjesëtarë të ekipeve mobile për trajtim të fëmijëve në rrugë.
Gjatë konferencës për media të mbajtur pas takimit, ministrja Carovska theksoi se vetë për dy javë, gjashtë ekipet mobile kanë arritur rezultate mjaft të mira.
“Qëllimi i këtyre ekipeve është të japin mbështetje për fëmijët në rrugë dhe për familjet e tyre. 167 fëmijë u identifikuan për një kohë shumë të shkurtër, nga të cilët 18 janë foshnje”, tha Carovska.
Ajo tha se qëllimi i këtyre ekipeve është që t’u japin mbështetje fëmijëve në rrugë dhe familjeve të tyre, krahas ndihmës financiare që ata e marrin, si dhe të punojnë në kyçjen e fëmijëve në procesin arsimor.
Benjamin Perks nga UNICEF-i tha se për një kohë të gjatë, shoqëria në Maqedoninë e Veriut është mësuar që komuniteti rom në përgjithësi të jetojë në kushte shumë më të këqija jetësore. Ai theksoi se shpeshherë fëmijët, madje edhe foshnjat, janë të ekspozuar në kushte të rrezikshme për jetët e tyre.
“Ajo që është e rëndësishme, është se kjo nuk paraqet projekt apo ndonjë intervenim humanitar, por është një strategji sistematike dhe afatgjate qeveritare e cila synon rezultate reale që do të transformojnë jetët e njerëzve nga komuniteti rom”, tha Perks.
Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale, Natasha Stanojeviç, tha se ekipet janë formuar në bashkëpunim me UNICEF-in, të cilët në lokacione, respektivisht udhëkryqe të ndryshme në kryeqytet, bëjnë identifikimin e fëmijëve.
Nga java e ardhshme, ekipet do të realizojnë dhe vizita në shtëpitë e fëmijëve, për të vërtetuar gjendjen faktike dhe për t’i ndihmuar ato familje.
Ivana Bozhinovska, që është pjesë e një ekipi mobil, tha se fëmijët në rrugë pas vështirësive fillestare, tashmë kanë filluar të kenë besim të ndërsjellë me pjesëtarët e ekipit.
Zgjerimi dhe përforcimi i ekipeve mobile me kuadër të kualifikuar është mbështetur nga UNICEF-i, ndërsa realizohet nga Qendra e Punës Sociale dhe Kryqit të Kuq në Shkup.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.