"Integrimi evropian është konsensusi më i madh kombëtar në Shqipëri"
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancën e fundit plenare për legjislaturën e dhjetë, ku është diskutuar për raportin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (KKIE)

Tiranë
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare ku është diskutuar për raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (KKIE) për vitin 2024, raporton Anadolu.
Kryetarja e KKIE-së dhe deputetja e partisë opozitare, Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalën e saj në seancë u shpreh se opozita asnjëherë nuk e ka braktisur procesin e integrimit evropian.
"Nuk ka Evropë pa institucione të cilat janë gjithëpërfshirëse. Nuk ka integrim me komisione të njëanshme, me vendime të njëanshme dhe me reforma të mbyllura në dhoma të errëta. Nuk ka besueshmëri kur nuk kryhet një diskutim kombëtar për këtë proces e kur nuk kthehet procesi i integrimit në një diskutim me të gjithë grupet e interesit, për të parë kostot, por njëkohësisht dhe përfitimet, për të diskutuar për legjislacionin që do të miratohet", u shpreh Tabaku.
Nënkryetari i KKIE-së dhe deputet i partisë në pushtet, Partisë Socialiste, Toni Gogu, u shpreh se sot integrimi evropian është konsensusi më i madh kombëtar që kanë në Shqipëri dhe kjo sipas tij u vu re edhe në punën e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian.
"Shumica qeverisëse ka një detyrë që po e bën me përgjegjshmëri: të vazhdojë të jetë garant i unitetit politik, të vazhdojë të jetë garant i kredibilitetit ndërkombëtar dhe të vazhdojë të jetë garant i maturisë në vendimmarrje. Në këtë rrugëtim ky këshill ka qenë një forum gjithëpërfshirës", tha Gogu.
Sipas raportit të KKIE-së, ky këshill do të vijojë mbikëqyrjen e ecurisë së procesit të integrimit evropian dhe përmbushjes së detyrimeve të anëtarësimit.
Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE) është struktura më e lartë këshillimore kombëtare në Shqipëri për integrimin evropian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014 dhe aktualisht ka hapur disa kapituj në negociatat për anëtarësim.
Sot mbahet seanca e fundit parlamentare e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë në rendin e ditës janë parashikuar të miratohen edhe disa projektligje. Legjislatura aktuale ka mandat deri në shtator të këtij viti, kur edhe do të konstituohet legjislatura e re e dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.