Inaugurohet zgjatja e pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës
Ministri Aliu tha se ky është një moment i rëndësishëm sepse ky projekt ka ndikim në transportin ajror në Kosovë dhe krijon kushte shumë të rëndësishme për të ardhmen

Prishtinë
Është inauguruar zgjatja e pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” me 540 metra shtesë si dhe janë shtuar kapacitetet teknike në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit ajror që do të kontribuojnë në siguri, raporton Anadolu Agency (AA).
Kështu është bërë e ditur sot në një konferencë për media nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) Liburn Aliu, komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Ferenc Kajari dhe drejtori i operimeve nga kompania turke Limak e cila menaxhon me koncesion aeroportin, Gokmen Aritay.
Ministri Aliu tha se ky është një moment i rëndësishëm sepse ky projekt ka ndikim në transportin ajror në Kosovë dhe krijon kushte shumë të rëndësishme për të ardhmen edhe për transportin e mallrave edhe për lidhjen me transportet tjera të vendit.
“Projekti tashmë është finalizuar dhe është operacional dhe i kemi edhe rezultatet nga realizimi i tij. Pista që është 3.040 metra e gjatë tashmë është në shfrytëzim e sipër dhe janë instaluar edhe pajisjet e sofistikuara për asistencë në aterimin e aeroplanëve në kohë me mjegull”, tha Aliu.
Ai tha se investimet e reja në aeroport e rrisin sigurinë si dhe shmangin në maksimum anulimin e fluturimeve për shkak të motit jo të favorshëm.
Sipas Aliut, në aeroportin me pistën shtesë dhe pajisjet e investuara së fundmi do të mund të përdoren për transportin e mallrave kargo, pasi që në të mund të aterojnë edhe aeroplanët e mëdhenj.
Komandanti i KFOR-it, Kajari tha se KFOR-i si mision i NATO-s përfshihet në ndihmën për normalizimin e hapësirës ajrore në Ballkanin Perëndimor.
Investimet në aeroport, sipas Kajarit, i cili po ashtu paralajmëroi hapjen e dy rrugëve ajrore të reja mbi Kosovë, po bëhen për përmirësimin e trafikut ajror.
“Qëllimi i kësaj është përmirësimi i trafikut ajror në regjion duke përfshirë hapjen e rrugëve të reja ajrore në hapësirën e Kosovës dhe jemi në proces të përfundimit të hapjes së dy rrugëve ajrore mbi Kosovë. Normalizimi do të bëhet me rrugë më të shkurtra, të cilat do të sjellin dobi për mjedisin si dhe aviacionin civil dhe atë ushtarak”, tha ai.
Kajari, i cili si komandant i KFOR-it, është përgjegjës për hapësirën ajrore në Kosovë, tha se po punojnë vazhdimisht për një mjedis të sigurt ajror në Kosovë duke ndihmuar edhe në navigim.
Drejtori i operimeve nga kompania turke Limak, Gokmen Aritay tha se vizioni i ri për menaxhimin e ri të transportit do t’u jep mundësi aeroportit të përmirësojë biznesin me transportin e mallrave si dhe ta lidh atë me transportin tokësor.
Ai tha se janë të gatshëm për të kontribuuar në industrinë e aviacionit dhe atë të transportit.
Pista e Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është zgjatur tani nga 2.500 metra në 3.040 metra, ndërsa bashkë me investimet në kapacitete teknike në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, projekti i financuar nga MMPHI, i nënshkruar në vitin 2017, kap vlerën e mbi 33 milionë eurove.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.